Kina po ua merr organet personave të arrestuar

  • 17 June 2019 - 15:34
Kina po ua merr organet personave të arrestuar

Një tribunal i pavarur me seli në Londër ka vlerësuar se vrasja e personave të arrestuar me qëllim të marrjes së organeve në Kinë është duke vazhduar. Besohet se në mesin e viktimave janë pjesëtarët e lëvizjes “Falun Gong”.

Tribunali për Kinën, i udhëhequr nga Sir Geoffrey Nice, i cili më parë ka qenë prokuror në tribunalin ndërkombëtar për krimet në ish-Jugosllavi, tha në fund të seancës se është e qartë që pjesëtarët e lëvizjes “Falun Gong” kanë qenë viktima të nxjerrjes së organeve. Ky tribunal ka siguruar të dhëna përmes ekspertëve mjekësorë, hetuesve për të drejtat e njeriut dhe grupet e tjera.

Ky tribunal vlerësoi se në mesin e të vrarëve janë anëtarët e grupeve religjioze, siç është lëvizja “Falun Gong”. Përndjekja e këtij grupi kishte filluar në vitin 1999 pasi dhjetëra mijëra njerëz u bënë pjesë e tij. Partia Komuniste i kishte cilësuar ata si kërcënim për sistemin shtetëror dhe për vetë partinë.

Tribunali ka më pak dëshmi për keqtrajtimin e banorëve të Tibetit, myslimanëve ujgurë dhe pjesëtarëve të sekteve të ndryshme të Krishterimit.

Autoritetet kineze kishin njoftuar në vitin 2014 se do ta ndërpresë marrjen e organeve nga të burgosurit e ekzekutuar dhe i ka mohuar akuzat për vrasje të personave të burgosur për t’ua marrë organet, duke thënë se ato janë të pasakta dhe të motivuara politikisht, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online)