Vjen akuza nga eksperti: Ja kush e kontrollon drejtësinë kosovare

  • 17 June 2019 - 18:28
Vjen akuza nga eksperti: Ja kush e kontrollon drejtësinë kosovare

"Gjërat në drejtësi dhe në përgjithësi nuk do të ndryshojnë kurrë vetvetiu apo nga kritikat e qeta të qytetarëve apo edhe të zyrtarëve të ndryshëm ndërkombëtarë. Jam më se i sigurt që për këto ndryshime të thella dhe më të shpejta duhet të imponohet një kërkesë me presion më të madh qytetar qoftë edhe me të drejtën për të protestuar”, tha Naim Miftari për “Kosova Sot Online”.

Derisa zyrtarët nga Qeveria dhe nga institucionet e drejtësisë në Koosvës vazhdojnë të thonë se ka rezultate inkurajuese në fushën e luftimit dhe parandalimit të krimit e korrupsionit, ekspert e pa varur të drejtësisë dhe të sigurisë konstatojnë të kundërtën. Sipas tyre, drejtësia kosovare vazhdon të jetë nën ndikimin e plotë të politikës.

Njohësi i kësaj fushe Naim Miftari, tha për “Kosova Sot Online” se këto raportime dhe deklarime optimiste e pozitive që vijnë nga pushtetarët, nuk kanë të bëjnë aspak me realitetin që e kemi me korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Sipas tij, krimi dhe korrupsioni po vazhdojnë të mbeten kanceri më i madh i vdekjeprurës në të gjitha shtyllat e shtetit, e madje edhe brenda për brenda vet sistemit të drejtësisë të lidhur me mafio-politikën dhe korporatokracinë kriminale. 

Image
Naim Miftari

“Ne jemi dëshmitar të skandaleve të përditshme që po ndodhin dhe askush nuk po merret me to. E kemi thënë disa herë dhe është fatkeqësi që vazhdimisht duhet ta përsëritim të njëjtën gjë. Më duhet ta them se edhe të verbërit e dinë se institucionet e sundimit të ligjit nuk janë të pa varura. Këtu mendoj sidomos tek drejtësia që është thellësisht e kapura dhe kontrollohen po ashtu thellësisht nga mafia politike në Kosovë që është shndërruar në çerdhe të pa diskutueshme të krimit të organizuar dhe korrupsionit”, tha Naim Miftari për “Kosova Sot Online”.

Sipas Miftarit, infiltrimi i mafisë politike në institucionet e sundimit të ligjit është jashtëzakonisht i thellë sepse nëpërmes partive politike në pushtet mafia ka arritur të ketë nën kontroll edhe AKI-në, policinë, prokurorinë dhe gjyqtarët. 

“Dhe kur arrin deri në këtë nivel, fatkeqësisht vetëm mundë të konstatojmë se nëntoka e ka nën kontroll shtetin dhe e përdor atë vetëm për përfitimet e grupeve të veta të interesit kriminal. Prandaj heshtja e drejtësisë nuk është as befasi dhe as e pa kuptueshme”, tha Naim Miftari për “Kosova Sot Online”.

Sipas Miftarit, derisa gjërat nuk ndryshojnë me vullnet politik, me shkëputje të guximshme të drejtësisë nga politika, atëherë në një të ardhme të afërt nuk do përjashtuar zgjimin e masës qytetare që këtë gjendje të ndryshojnë me protesta, qofshin ato edhe të dhunshme. 

“Gjërat në drejtësi dhe në përgjithësi nuk do të ndryshojnë kurrë vetvetiu apo nga kritikat e qeta të qytetarëve apo edhe të zyrtarëve të ndryshëm ndërkombëtarë. Jam më se i sigurt që për këto ndryshime të thella dhe më të shpejta duhet të imponohet një kërkesë me presion më të madh qytetar qoftë edhe me të drejtën për të protestuar, me ngritje në demonstrata masive por edhe të shoqëruara me mbështetje me diktat ndërkombëtar nga vendet mike, përfaqësuesit e të cilave tani më po flasin hapur dhe po distancohen dita ditës nga kjo klasë politike e korruptuar dhe nga kjo drejtësi e ndikuar nga politike dhe thellësish e inkriminuar”, përfundoi Miftari për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)