Beogradi dhe fakulteti paralel serb në Mitrovicë bashkojnë forcat për krijimin e institucioneve të tjera ilegale

  • 18 June 2019 - 07:49
Beogradi dhe fakulteti paralel serb në Mitrovicë bashkojnë forcat për krijimin e institucioneve të tjera ilegale

Përfaqësuesit e Fakultetit të Mjekësisë së Serbisë dhe ata të vetëquajturit “Universiteti i Prishtinës”, janë takuar sot në Mitrovicë.

Përfaqësuesit e Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë në Serbi si dhe përfaqësuesit e Fakultetit të Mjekësisë të vetëquajturit “Universiteti i Prishtinës”  në Mitrovicë, sot kanë zhvilluar një takim.

Siç shkruajnë mediet serbe, ky takim ka pasur për qëllim që të dy fakultetet të forcojnë bashkëpunimin

Po ashtu, në këtë mbledhje, një rëndësi e madhe i është dhënë kujdesit shëndetësor dhe ndërtimit të qendrave të reja klinike dhe spitalor,  të cilat pritet t’i ndërtojë qeveria e Serbisë në Kosovë.

Dekanja e Fakultetit të Mjekësisë, në të vetëquajturin “Universiteti i Prishtinës” në Mitrovicë, Suzana Matejiq, ka theksuar  se që nga koha kur u krijua Komuniteti i Serbisë i Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë në Serbi në vitin 2004, ky ka qenë takimi i parë.

Matejiq theksoi se ky takim është mbajtur nën udhëheqjen e të vetëquajturit “Universiteti i Prishtinës”  Universiteti i Prishtinës, të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë dhe ministrisë së linjës.

Në anën tjetër zëvendësdrejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Zhelko Joviq, tha se përmes programeve dhe projekteve të ndryshme, Qeveria e Serbisë, përmes kësaj zyre dhe Ministrisë së Shëndetësisë, ka punuar vazhdimisht për ngritjen e kapaciteteve të përgjithshme shëndetësore për shumë vite.

Joviq citohet të ketë thënë se, sistemi shëndetësor është një ndër kushtet themelore për mbijetesën e qytetarëve serbë në Kosovë dhe se kjo është sfidë më e madhe për qeverinë e Serbisë.

“Takimi i sotëm është një shenjë se i gjithë komuniteti akademik është i përfshirë në mënyrë aktive dhe ne presim që së bashku të krijojmë kuadro të reja të cilët do të jenë në gjendje të merren me të gjitha këto probleme karakteristike për këtë lëmi. Me ndihmën dhe mbështetjen e shtetit, ne investojmë shumë dhe planifikojmë investime shumë të mëdha në sistemin e kujdesit shëndetësor”, theksoi zëvendësi i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Ai theksoi po ashtu se, Qeveria e Serbisë ka planifikuar edhe ndërtimin e një qendre klinike të re në Mitrovicë dhe Graçanicë, dhe për këtë nevojitet një personel i ri i kujdesit shëndetësor.

Ndryshe, Universiteti i Mitrovicës së Veriut (UMV) që prej vitit 1999 nuk ka funksionuar në përputhje me Ligjin për Arsimin e Lartë të Kosovës, mirëpo i ka zbatuar rregullat e Serbisë, duke ia ‘vjedhur’ identitetin Universitetit të Prishtinës.

Planprogrami i të vetëquajturit “Universiteti i Prishtinës” me seli në Mitrovicën e Veriut, funksionon sipas ligjeve të Serbisë. 

(Kosova Sot Online)