Haradinaj i publikon draft- konkluzionet e BE’së për vizat

  • 18 June 2019 - 13:26
Haradinaj i publikon draft- konkluzionet e BE’së për vizat

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pas publikimit të draft-dokumentit nga Këshilli i Ministrave të BE’së, ka shkëputur një përkthim të konkluzionit preliminar, ku thuhet se Këshilli e njeh rëndësinë e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Përmes një shkrimi në Facebook, Haradinaj duke shkëputur një përkthim të Konkluzionit preliminar të Këshillit Evropian, ka shkruar se në mars të këtij vitit, Parlamenti Evropian ka përkrahur propozimin e Komisionit Evropian në lexim të parë.

“Këshilli e njeh rëndësinë e e liberalizimit të vizave për Kosovën. Komisioni ka bërë një propozim zyrtar në muajin Maj 2016 që të transferojë Kosovën në listën e shteteve që mund të udhëtojnë pa viza në zonën Schengen, ashtu siç është prezentuar në raportin e Korrikut 2018 rreth përmbushjes së kritereve të mbetura. Në Mars 2019, Parlamenti Europian përkrahu propozimin e Komisionit Europian në lexim të parë. Vendimi për këtë propozim është duke u konsideruar nga Këshilli.”, përkthim i saktë i Konkluzionit preliminar (pika54), të Këshillit të Bashkimit Europian”, ka shkruar Haradianaj.

Një draft-dokument i Këshillit të Ministrave të BE-së, që ende nuk ka marrë formë përfundimtare, është publikuar sot në faqen e Bashkimit Evropian. Sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave për Kosovën asgjë s’ka përfunduar, thuhet se kjo çështje ende është duke u shqyrtuar në Këshill.

Nuk dihet se cili do të jetë qëndrimi, kur ky dokument të marrë formë përfundimtare deri në fund të muajit, kur takohen shefat e vendeve të BE-së dhe kur merr fund Presidenca rumune e Bashkimit Evropian.

Por, sipas të gjitha gjasave për çështjen e vizave një vendim do të merret gjatë Presidencës finlandeze në 6-mujorin e dytë të këtij viti. Aktualisht Gjermania e ka dhënë mbështetjen e saj për këtë proces. Pas vizitës në Berlin, më 6 qershor të këtij muaji kishte thënë se çështja është komplikuar pak dhe se nuk pritet ndonjë vendim i shpejtë kur dihet se disa vende në BE kanë hezitime siç është Franca e Holanda për shkak të korrupsionit në Kosovë dhe çështjes së azilkërkuesve në BE-së.

 

(Kosova Sot Online)