Goran Rakiq nis punën si kryetar i Mitrovicës Veriore

  • 19 June 2019 - 19:03
Goran Rakiq nis punën si kryetar i Mitrovicës Veriore

Goran Rakiq, ka bërë betimin si kryetar i Mitrovicës së Veriut.

Lideri i Listës Serbe këtë e ka konsideruar si obligim të madh.

“Ky është një obligim i madh, jo vetëm për mua, por i të gjithë juve që jeni në Kuvend, që të jemi edhe më të mirë në punën që bëjmë dhe të shënojmë përparim në jetët e bashkëqytetarëve tanë, para së gjithash, që të jetojnë të qetë dhe t’iu ndihmojmë në çdo aspekt’, ka thënë Rakiq, pas dhënies së betimit solemn.”.

Nuk dihet nëse e kanë bërë betimin edhe tre kryetarët e tjerë të Komunave Veriore.

Këto zgjedhje kanë pasuar dorëheqjet e kryetarëve të këtyre komunave, më 26 nëntor të vitit të kaluar, në shenjë proteste ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100 për qind në importet e Serbisë dhe Bosnjës.

Kjo taksë njëherësh është përdorur edhe si arsyetim nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq për mosvazhdim të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që zhvillohet me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian në Bruksel.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka insistuar se kjo taksë do të mbetet në fuqi derisa Serbia të njohë shtetësinë e Kosovës.


(Kosova Sot Online)