Ish kreu i AKK-së kritika të ashpra për ndërkombëtarët: Po flasin vetëm kur largohen nga Kosova

  • 21 June 2019 - 07:32
Ish kreu i AKK-së kritika të ashpra për ndërkombëtarët: Po flasin vetëm kur largohen nga Kosova

“Fatkeqësisht vlerësimi i saj është i drejtë por kjo është situate. Krim i organizuar dhe shantazh. Kjo është baza e veprimit të të gjithë titullarëve të institucioneve të Kosovës. Janë vendosur-emëruar me kritere politike dhe jo profesionale dhe etike”, tha Preteni për “Kosova Sot Online”.

Disa nga gjyqtarët ndërkombëtar që kanë shërbyer në Kosovë në periudha të ndryshme kohore, vazhdojnë të hedhin akuza ndaj institucioneve të shtetit të Kosovës duke i cilësuar ato si të tej korruptuara për mënyrën se si kanë parë funksionimin e tyre, sidomos në fushën e sundimit të ligjit.

Image

Gjyqtarja suedeze e EULEX-it, Marie Tuma, ka thënë se në Kosovë sundon krimi dhe prandaj sipas saj, duket se krejt shoqëria është ndërtuar mbi korrupsionin.

E lidhur me këtë, për “Kosova Sot Online”, ka folur njohësi i fushës së të drejtës dhe ish kreu i AKK-së Hasan Preteni.

Ai ka thënë se nuk është e ndershme që ndërkombëtarët të cilët ishin pjesë e sistemit të drejtësisë të flasin e kritikojnë vetëm pasi të kenë mbaruar misionin e tyre, sado që ata edhe mundë të kenë të drejtë në konstatimet e tyre.

“Është një anomali edhe te ndërkombëtarët që dikur ishin pjesë e EULEX-it, disa prokurorë e tani edhe gjyqtar që po flasin keq për gjyqësorin, pjesë e të cilit ishin, bile ishin pjesë edhe të mekanizmit prej të cilit është pritur shumë. Ishte shpresë por e njëjta dështoi edhe EULEX-i pra. Gjyqtarja Maria Tuma, ka qenë kryetare e panelit në rasti "Limaj" dhe e njëjta të gjithë të akuzuarit i ka shpallur të pa fajshëm. Me siguri që ka qenë edhe pjesë e proceseve tjera dhe në asnjë rast nuk është dëshmuar”, tha Preteni për “Kosova Sot Online”.

Sipas Pretenit, nuk është serioze që të shfrytëzohen paga të majme, mandate të gjata dhe asnjë sukses sikur që ka dështuar edhe Tuma që tani hedh kritika kundër Kosovës.

“As ajo e as kolegët e saj gjyqtare, fatkeqësisht as prokurorët e misioneve të UNMIK-ut e as të EULEX-it nuk kanë bërë asgjë për të veçuar. Nuk ka mençuri pas Kuvendit e as trimëri pas betejës. Potezin e duhur, duhet luajtur në kohën e duhur. Zonja Marie Tuma është dashtë që të vepron atëherë kur ka pasur mundësi e jo tani, dhe kjo është hipokrizi”, theksoi Preteni për “Kosova Sot Online”.

Sidoqoftë ai thotë se kjo gjyqtare e ka thënë të vërtetën që e kemi sot në Kosovë, por ajo nuk e ka thënë me kohë se e kemi këtë gjendje.

“Fatkeqësisht vlerësimi i saj është i drejtë por kjo është situate. Krim i organizuar dhe shantazh. Kjo është baza e veprimit të të gjithë titullarëve të institucioneve të Kosovës. Janë vendosur-emëruar me kritere politike dhe jo profesionale dhe etike. Duhet të ju shërbejnë atyre që i kanë emëruar e pozicionuar, janë të padijshëm dhe jo me integritet. Nuk funksionon asgjë”, theksoi ish kreu i AKK-s Preteni për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online).