Momenti i fundit, kërkohet Vetting-u i monitoruar nga ndërkombëtarët

  • 21 June 2019 - 07:36
Momenti i fundit, kërkohet Vetting-u i monitoruar nga ndërkombëtarët

“Vetëm një VETTING i monitoruar nga ndërkombëtarët, pra nga prokurorë dhe gjyqtarë të vendeve me demokraci të avancuara, mund të sjellë reformat e dëshiruara në sistemin e drejtësisë, gjegjësisht për të prangosur elitat politike që për njëzet vjet rresht bën kërdi në zhvatjen e buxhetit të shtetit,”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Derisa ka një presion të fuqishëm ndërkombëtar ndaj institucioneve të drejtësisë dhe politikës vendore për të qenë më të ashpër në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, analistët politikë dhe njohësit e fushës së të drejtës konsiderojnë se këto presione janë sinjale serioze sipas të cilave po afrohet edhe momenti i duhur që ndërkombëtarët do ta shfrytëzojnë dhe t’i bëjnë presion politikës kosovare që ta hartojnë dhe miratojnë në Kuvend edhe Ligjin e Vettingut për drejtësinë.

Image

Sido qoftë ata shohin se rezistenca e politikës do të jetë e fuqishme dhe gjasat janë pak reale që të ndodhë një ndryshim kaq i madh dhe i shpejtë në mentalitetin e korruptuar të politikës kosovare para zgjedhjeve të reja të nivelit qendror që po pritet të mbahen në vjeshtë.

Sipas analistit politik, Florim Zeqa, imponimi i kësaj agjende do të ishte zgjidhja më e qëlluar për tu pastruar njëherë e përgjithmonë drejtësia dhe politika nga krimi i organizuar, mirëpo lufta për të fituar këtë betejë është tepër e vështirë

“Është e vështirë që procesi i VETTING-ut të ndodhë para zgjedhjeve të vjeshtës, për shkak se të pakët janë ata deputet që do të votonin kundër vet-vetes. Vettingu pas zgjedhjeve vetëm sa do prodhonte një luftë të re klasash brenda partive politike, siç prodhoi "Vettingu alla veselçe" në PDK. Edhe po të ndodhte ky proces, Kadri Veseli do të shitej si reformator, sikur "Vettingun", gjegjësisht vendimin për t'i larguar nga të gjitha pozitat partiake dhe institucionale të gjithë zyrtarët e PDK-së që kanë aktakuza të konfirmuara nga institucionet e drejtësisë ta merrte para zgjedhjeve partiake në partinë e tij”, tha analisti politik Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Sipas analistit Zeqa, edhe vendimi i Kadri Veselit për shkarkimin nga detyra të disa zyrtarëve të PDK-së që kanë problem me ligjin tani, përveçse është i pasinqertë, është i padrejtë dhe i vonuar, pasi sipas tij, është vendim jo për të larguar të inkriminuarit nga partia e tij, por për të mënjanuar zërat kundër në PDK.

“Prandaj, vendit nuk i duhen reforma alla "veselçe" për të mbrojtur elitat politike, por reforma të mirëfillta e rrënjësore duke filluar nga elitat politike e deri në themel, pra në bazën deleguese të partive politike”, theksoi Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Sipas Zeqës, për të pasur sukses VETTING-u duhet përgatitur mirë dhe udhëhequr vetëm nga ekspertët ndërkombëtar.

“Reformat në sistemin e drejtësisë nuk do të arrihen asnjëherë, pa u realizuar VETTING-u në dy nivelet e qeverisjes (qendrore dhe lokale). Pra, në asnjë rrethanë VETTING-u nuk do të ketë sukses nëse udhëhiqet apo monitorohet nga pushtetarët. Vetëm një VETTING i monitoruar nga ndërkombëtarët, pra nga prokurorë dhe gjyqtarë të vendeve me demokraci të avancuara, mund të sjellë reformat e dëshiruara në sistemin e drejtësisë, gjegjësisht për të prangosur elitat politike që për njëzet vjet rresht bën kërdi në zhvatjen e buxhetit të shtetit, që pamëshirshëm plaçkitën e qytetarët (mërgimtarët) në emër të ndërtimit të shtetit pa bërë asgjë të mirë për qytetarët dhe bashkatdhetarët që jetojnë në Diasporë”, përfundoi Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)