Alarmon eksperti i sigurisë, ja paralajmërimi i rëndë për Veriun e Kosovës

  • 24 June 2019 - 07:34
Alarmon eksperti i sigurisë, ja paralajmërimi i rëndë për Veriun e Kosovës

“Situatat politike mes Serbisë dhe Kosovës tani janë mjaftë të tendosura dhe munden në çdo moment të eskalojnë në konflikt të ashpër, pse jo edhe në konflikt të armatosur”, tha eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava për “Kosova Sot Online”.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj ka paralajmëruar “katastrofë” humanitare sipas skenarit serb në veri të Kosovës. Sipas ekspertëve të sigurisë, qeveria e udhëhequr nga Haradinaj ka dështuar që ta integroje dhe ta shtrijë kontrollin e plotë në këtë pjesë të Kosovës.

Image

Eksperti i fushës së sigurisë, Hajrullah Tërnava, duke vlerësuar zhvillimet e fundit politike dhe diplomatike në mes të Kosovës dhe Serbisë, konstaton se edhe veriu i Kosovës është duke shkuar drejt destabilizimit.

Sipas tij, paralajmërimi i Haradinajt është dëshmi se veriu është në dorën e serbëve, kurse procesi i integrimit të kësaj pjese kaherë është një përpjekje e dështuar.

 

“Situatat politike mes Serbisë dhe Kosovës tani janë mjaftë të tendosura dhe munden në çdo moment të eskalojnë në konflikt të ashpër, pse jo edhe në konflikt të armatosur”, tha Tërnava për “Kosova Sot Online” duke shtuar se pas dështimi të Samitit të Parisit kjo situatë bëhet akoma më e pa qartë dhe shton tensionet, sidomos rreth situatës në veri.

“Në situatën që tani gjendet veriu, e që lirisht mundë të konstatohet se është i kontrolluar nga paramilitarët serb sipas planeve të qeverisë serbe, dhe kur po shihet se plani i marrëveshjeve të Vuçiqit dhe Thaçit për veriun, tani nuk janë të përkrahura nga ndërkombëtarët dhe populli i Kosovës, Serbia mundet edhe njëherë të tentoj se fundi për ta përvetësuar veriun përmes paramilitarëve. Po e them këtë sepse Serbisë nuk i mbetet alternativë tjetër përpos që të tentoj me konflikt të armatosur ta përvetësoj veriun”, tha eksperti i fushës së sigurisë për “Kosova Sot Online”.

Tërnava thotë se KFOR-i dhe NATO janë dy garantuesit të territorit të Kosovës, gjë të cilën Serbia nuk duhet ta harrojë.

“Serbia nuk duhet të harroj se garantues i territorit të Kosovës është KFOR dhe NATO sipas marrëveshjes së Kumanovës e që është në fuqi, kurse vendimi e GJND-së në favor të së drejtës së shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kështu që nëse tani Serbia ndërmerr krye në vete përdorimin e dhunës për ta përvetësuar veriun mund t’i kthehet me bumerang nga ata që i garantojnë kufijtë e Kosovës”.

“Gjithsesi që situata e krijuar tani po shihet që është serioze sepse u pa që qeveritë e dy shteteve edhe fshehtas po mbajnë mbledhje, si në rastin e Gjuriqit dhe Arifit, prandaj shqetësimi i kryeministrit Haradinaj e ka kuptimin e vetë. Tani shqetësimi mund të jetë edhe më serioz kur paralajmëron për „katastrofë“ humanitare të skenarit serb”, deklaroi Tërnava për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, nga situata e krijuar tani e 20 vite, pjesa e veriut është tepër e koklavitur dhe serbët kurrsesi nuk pajtohen që ta njohin pavarësinë e Kosovës në këta kufij pa e përfituar veriun, prandaj nuk mund të presim se ndonjë qeveri e Kosovës në të ardhmen do ta zgjidh lehtë këtë problem të veriut nëse për këtë nuk intervenon faktori i fuqishëm ndërkombëtar.

“Po ndodhën trazira në veri, ato do të ndodhin për herë të fundit, dhe çështja e veriut do të zgjidhet me ndërhyrjen ndërkombëtare një herë e përgjithmonë, por pyetja shtrohet se në veri a do të jetojnë më serbët, e këtë e dinë mirë edhe serbët prandaj situata atje është sa e tensionuar aq edhe më një lloj stabiliteti të brishtë”, përfundoi për “Kosova Sot Online”, eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava.

(Kosova Sot Online)