Haziri: Qytetarët në veri i frikësohen dialogut Kosovë-Serbi
Në konferencën “Zëri i Popullit rreth ‘Finales së Madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, panelist ka qenë edhe nënkryetari i LDK-së dhe Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.
Haziri në fjalën e tij hyrëse tha se është edekurajuese të mos i kemi kryetarët e 4 partive në pushtet të pranishëm në këtë tryezë ku po diskutohet për dialogun Kosovë-Serbi.
“Nuk i kemi në këtë tryezë, as Kryetarin e PAN-it dhe Kryetarin e PDK-së, i cili është me dy kapela por i pa kohë as Kryeministrin në detyrë, por as Kryetarin e NISMA-s i cili është edhe udhëheqës i dialogut dhe Kryetari i Lista Serbe që e bojkoton këtë tryezë dhe institucionet.
Nënkryetari i LDK-së tha se kjo gjendje e lë në ajër edhe statusin dhe rolin Presidentit, sepse duhet të zgjedhë në mes atyre që po e mbështesin dhe atyre që nuk po ia mbështesin procesin.
Haziri ka thënë se opozita dhe në veçanti LDK-ja nuk pajtohet me mënyrën e procesit të dialogut.
“LDK prej fillimit, prej 24 majit 2018 ka bërë të ditur 3 kërkesat e saj siç janë parimet dhe kriteret për negociata, qartësia në proces, orari kur hyjmë dhe dalim nga ky proces e që asnjëra nga to nuk janë realizuar”.
Haziri ka thënë se një zgjidhje gjithëpërfshirëse duhet të ndodhë në mënyrë që të ketë një zgjidhje të drejtë.
“Frika e qytetarëve në veri dhe në lindje të Kosovës për zgjidhje jo të drejtë të procesit të dialogut Kosovë-Serbi është shqetësimi kryesor që e kanë”
Haziri ka shprehur shqertësimin që nëse një zgjidhje finale nuk do të ndodhë mes Kosovës dhe Serbisë, atëherë humbëse do të jetë Kosova.
“Kosova është e pafuqishme ta ndalë Serbinë për rrugën e saj në integrimet evropiane dhe shqetësimi im është që Serbia mund ta marrë datën pas dështimit të përpjekjeve për finalizimin e një marrëveshje gjithëpërfshirëse”.
Ai tha se BE nuk ka qëndrim dualist rreth zgjidhjes së Kosovës, por do të ketë vetëm një zgjidhje.
“Nga Samiti i Sofjes është shumë e qartë se nuk ka qëndrim dualist, ose zgjidhje të problemit ose të tjerët kanë me ec varësisht prej rezultateve të prituna nga BE-ja” u shpreh Haziri.
(Kosova Sot Online)