PDK e LDK “kapen” për Ligjin që nuk ka kaluar ende

  • 24 June 2019 - 13:07
PDK e LDK “kapen” për Ligjin që nuk ka kaluar ende

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës janë “kapur” në seancën e sotme parlamentare rreth Ligjit për Tatimin e të Ardhurave në Korporata, i cili nuk kaloi javën e kaluar në Parlamentin e Kosovës

Deputetët e dy prej partive më të mëdha në vend, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) janë “kapur” sot në seancën e radhës parlamentare.

Në rastin e sotëm, ata janë përplasur rreth Ligjit për Tatimin e të Ardhurave në Korporata në Kuvend, i cili nuk kaloi dhe nuk u fuqizua javën e kaluar, duke e lënë të zhgënjyer komunitetin sportiv.

Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi e akuzoi LDK-në se nuk ishte pro kalimit të këtij ligji, i cili do të ishte shpëtim për sportin kosovar, duke e penguar kështu kalimin e amendamentin që do ta zhvillonte sportin në vend.

Mirëpo, atij i është përgjigjur deputeti i LDK-së, Naser Osmani, i cili theksoi se partia të cilës i përket ai i mbështet të gjitha sponsorizimet dhe i uron suksese sportit dhe të gjithë sportistëve kosovarë, duke e hedhur poshtë akuzën se LDK-ja e ka penguar kalimin e këtij Ligji.

Kalimi i Ligjit për Tatimin e të Ardhurave në Korporata në Kuvend, përkatësisht amendamenti, do t’i hapte rrugë të menjëhershme Ligjit të Sponsorizimit në fushën e Sportit, me ç’rast konsiderohet si shpëtim për sportin kosovar.

Bota sportive shpreson që ky Ligj të kalojë sa më shpejt.

(Kosova Sot Online)