Fshati që nuk bën gjumë për shkak të vjedhjeve, flasin banorët. Të dyshuarit lihen të lirë se…

  • 25 June 2019 - 16:01
Fshati që nuk bën gjumë për shkak të vjedhjeve, flasin banorët. Të dyshuarit lihen të lirë se…

Vjedhjet janë kthyer në shqetësim për banorët e fshatit Tresh në Njësinë Administrative të Zejmenit në Lezhë.

Hajdutët veprojnë gjatë orëve të natës dhe në shënjestër të tyre më së shumti janë kafshët shtëpiake, ndërsa së fundmi kanë vjedhur dhe koshere bletësh.

Në këto kushte, banorët thonë se ndihen mjaft të frikësuar dhe situata e krijuar po i detyron të rrinë zgjuar gjatë natës për të mbrojtur pronën e tyre. “Dëgjova zhurmë, por jashtë nuk mund të dilja, kisha frikë se kanë armë. Vetëm kam lajmëruar Policinë në telefon, nuk kam bërë asnjë veprim”, tregon banorja.

“Herën e fundit më kanë vjedh para dy javësh. I kishin dhënë qenit sallam e fostoksinë, pastaj kanë hyrë dhe kanë marrë 20 pula. Parmbrëmë nuk më ka zënë gjumi, po dëgjoja zhurma dhe kisha frikë. Jo se kam ndonjë lek të madh në shtëpi, se unë 75 mijë lekë të vjetër e kam pensionin, po kisha frikë mos vijnë e më vrasin. Kemi bërë denoncime, kanë filmu”, shprehet një e moshuar. Banorët dyshojnë se hajdutët jetojnë pranë zonës së tyre dhe kanë informacion mbi fermerët dhe ato çfarë posedojnë.

Ndërkohë, Policia e Lezhës në vazhdimësi arreston persona të ndryshëm për vjedhje, por që në shumë raste lihen të lirë nga organet e drejtësisë për shkak të mungesës së provave për dënimin e tyre, duke u bërë përsëritës të së njëjtës vepër penale. “Më kanë vjedhur tri herë brenda një viti. Kanë hapur rrjetën dhe kanë hy e kanë marrë pulat. Më kanë vjedh edhe bletët. Nuk dimë çfarë të bëjmë, ngelëm duke bërë roje për çdo natë. Kërkojmë nga shteti që të na mbrojë, se ne jemi të pambrojtur. Hajduti ka dhe armë dhe ndoshta edhe të vret. Këtu nuk ka shtëpi që nuk është vjedh të paktën një herë”, shprehet një tjetër banore e zonës.

Për banorët e fshatit Tresh është e pakuptueshme që Policia e Shtetit e fokuson të gjithë vëmendjen e saj për padrejtësitë që qytetarët i bëjnë vetë shtetit, ndërkohë që për dëmet që hajdutët e bëjnë qytetarëve është një gjë në plan të dytë.

“Rrimë me shumë frikë, se këtë vit ka pasur shumë vjedhje. Ka pas shumë denoncime, por nuk kanë gjet asnjë deri tani. Nuk e dimë se si është kjo punë. Po në rast se dikush vjedh energjinë elektrike apo bën ndonjë shkelje tjetër me makinë, këta të kapin direkt ose të gjobisin, ndërsa për ne të shkretët që na vjedhin nga 3-4 herë në vit nuk e vret mendjen njeri, sikur mos me pas shtet fare”, shprehet e indinjuar me punën e Policisë një tjetër banore e Treshit.


(Kosova Sot Online)