LDK kërkon Komision Hetimor për parregullsitë në MAShT dhe arsim

  • 27 June 2019 - 12:31
LDK kërkon Komision Hetimor për parregullsitë në MAShT dhe arsim

Kuvendi i Kosovës po mban seancë të jashtëzakonshme lidhur me gjendjen në arsim dhe vendimet e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Deputeti Ismail Kurteshi, njëherësh kryesues i Komisionit të Arsimit dhe propozues i kësaj seance, ka drejtuar kritika të mëdha në drejt të Ministrisë së Arsimit për gjendjen e krijuar në këtë sektorë.

Ai në këtë seancë ka përmendur një nga një problemet me të cilat po përballet arsimi.

“Tekstet shkollore ose nuk janë të përshtatshme ose mungojnë sidomos në mësimin profesional. Para fillimit të vitit shkollor ende nuk dijet se me cilat tekste do nisë mësimi, me të rejat apo të vjetrat që kanë shumë vërejtje.  Sa i përket mësimit parashkollor, Kosova zë vendin e fundit në Evropë në përfshirjen e fëmijëve në mësimin parashkollorë. Gjendja e hapjes së shkollave në diasporë  është për të dëshiruar. Sa i përket riorganizimit të shkollave kemi shkolla me nga tri ndërrime, shkolla me një ndërrim dhe numër jashtëzakonisht të vogël të nxënësve. Ministria duhet t’i paraprijë organizimit të shkollave duke mos lënë anash angazhimin e mësimdhënësve dhe të mos pret nga komunat të cilat nuk kanë kapacitete”, tha ai.

“…Rreth 50 për qind të nxënësve në shkolla të mesme ndjekin shkolla profesionale. Mësimi praktik nuk është i organizuar mirë. Shumica e nxënësve mbesin të paaftësuar për punë.  Siguria në shkolla është problem jashtëzakonisht i madh dhe përdorimi i narkotikëve po bëhet problem i madh për shkollat tona’’.

Deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku, ka propozuar rezolutë që të ngritët një komision hetimor për të gjetur të gjitha parregullsitë në MASHT dhe në sektorin e arsimit.

“Pa zhvillim në arsim nuk ka as zhvillim në fusha tjera. Arsimi po vazhdon me cilësi jashtëzakonisht të dobët. Arsimi nuk përputhet me tregun e punës, shpesh mungojnë kuadro të profesionalizuara ndërsa kemi kuadro tepricë.  Kjo ministri ka dështuar edhe në programin nacional duke hequr nga puna njerëz që kanë qenë dhe duke sjellë militantë. Në arsim në shek XXI,  kemi problem me infrastrukturë për çerdhe ndërsa pushteti ka premtuar rritje të numrit të tyre. Në nivelin parauniversitar nuk zbatohet mësimi tetëditor. Ministria ka shpenzuar 150 mijë euro për 32 punonjës të saj që nuk shkojnë në punë”, tha ajo.

“…Ministria ka dështuar në zbatimin e kurrikulës së re, janë bërë ndërhyrje politike në këshillin e drejtuesve, rektorëve, ministria ka përgjegjësi për shpenzimin marramendës për koordinatorin nacional. Mungojnë laboratorë dhe kushte teknike. Ministria ka dështuar në rritjen e inspektorëve nëpër komuna. Ne si LDK do japim kontributin tonë duke dhënë një rezolutë këtu dhe kjo të gjejë zbatim e jo si rezolutat tjera. Propozojmë kom hetimor i cili duhet të hulumtoj të gjitha parregullsitë në MAShT dhe sektorin e arsimit. Ky komision të mbajë barrën kryesore. Kryetari i saj të jetë z. Kurteshi dhe ne të tjerët anëtarë që do të kontribuojmë”.

(Kosova Sot Online)