Presidenca injoron qëndrimin e Palmer, vlerëson deklaratën e Eliot Engel: Sigurojmë miqtë e vërtetë se…

  • 27 June 2019 - 18:44
Presidenca injoron qëndrimin e Palmer, vlerëson deklaratën e Eliot Engel: Sigurojmë miqtë e vërtetë se…

Presidenca i ka dhënë përgjigje indirekt qëndrimit të dhënë nga Zv.ndimës Sekretari i SHBA-ve, Mathew Palmer, duke dhënë vlerësime vetëm për qëndrimin e Kryetarit të Komisionit të Politikës së Jashtme të Kongresit Amerikan, Eliot Engel.

Zëdhënësi i Presdientit i pyetur për qëndrimet e Palmer, nuk i ka komentuar ato, por ka vlerësuar vetëm deklaratën e Eliot Engel, duke e quajtur qëndrimin e tij si të përgjegjshme dhe të vëmendshëm dhe shqetësuese për situatën në Shqipëri.

Në qëndrimin zyrtar të Presidencës vlerësohen “miqtë e vërtete të Shqipërisë”, ndërkohë që thuhet se kreu i shtetit do të bëj të gjitha përpjekjet që në vendin tonë të mundësohen zgjedhje vendore demokratike dhe të ndershme, ashtu siç e meriton një vend i NATO-s. 

“Zëdhënësi i Presidentit, z.Tedi Blushi i pyetur nga mediat mbi deklaratat e bëra nga z.Palmer në VOA  deklaroi se: Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta vlerëson deklaratën e përgjegjshme, të vëmendshme e njëkohësisht shqetësuese të Kryetarit të Komisionit të Politikës së Jashtme të Kongresit Amerikan, Eliot Engel, këtij miku të sprovuar të Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve, mbi situatën e vështirë politike në Shqipëri dhe mbi rëndësinë imediate të rivendosjes së dialogut dhe shtetit të së drejtës.

Presidenti i Republikës siguron Kryetarin e  Komisionit të Jashtëm të Kongresit Amerikan, z.Eliot Engel dhe të gjithë miqtë e vërtetë të Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, se po bën dhe do të bëjë të gjitha përpjekjet që Shqipëria të mund të organizojë zgjedhje vendore gjithëpërfshirëse, demokratike, me standarde, të lira dhe të ndershme, ashtu siç e meriton një vend i NATO-s dhe një vend që dëshiron të bëhet anëtar i Bashkimit Europian”, thekson reagimi i Presidencës.

(Kosova Sot Online)