Aktakuzë ndaj zyrtarit të Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve

  • 01 July 2019 - 10:09
Aktakuzë ndaj zyrtarit të Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve

Prokuroria Themelore në Prizren, njofton se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit me inicialet Sh.B., për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Sh.B., me datë 12.04.2018 në kohë të pacaktuar në Prizren, në cilësinë e personit zyrtar si nëpunës i Administratës në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve (QRA) në Prizren, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar nuk i përmbushë detyrat e tij.

Në këtë mënyrë, njofton prokuroria, i keqpërdorë shërbimet  me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për F.Q., nga fshati Romaj – Komuna e Prizrenit, në atë mënyrë që F.Q., e cilëson pa dëshmi në kategorinë paraplegjik dhe tetraplegjik, dhe, vazhdon regjistrimin e automjetit “Volksëagen Passat” ngjyrë e bardhë, pa u kryer pagesat  e taksave administrative të parashikuara me ligj-udhëzim administrativ për regjistrim të automjeteve, duke e dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës.

Me këto veprime, i akuzuari ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1-2 nëparagrafi 2.4  të KPRK-së.

(Kosova Sot Online )