E çuditshme ambasadorit rus në Beograd i vidhet dorëshkrimi i librit për Serbinë

  • 01 July 2019 - 19:58
E çuditshme ambasadorit rus në Beograd i vidhet dorëshkrimi i librit për Serbinë

Sipas një interviste të dhënë në kanalin zyrtar të Putinit “Sputnik” në gjuhën serbe, ambasadorit rus në Beograd Aleksandar Çepurin i janë zhdukur/vjedhur një pjesë e dorëshkrimeve të librit të tij për Serbinë, i cili është përgatitur për botim.

Megjithëse intervista pretendon që ta vë në pah “klasin e lartë” rus në Serbi, nga bashkëshortja e Çepurinit përmendet fakti se një pjesë e dorëshkrimit të librit që pritet të botohet “u zhduk”.

Në intervistë nuk përmendet se si ka arritur të zhduket dorëshkrimi brenda një ambasade, kur dihet se ambasadat janë “territor sovran” brenda një shteti me siguri të lartë, dhe veçmas si ajo e Rusisë ku prioritet i Putinit është siguria.

Mirëpo, Çepurini e ka pranuar këtë duke thënë “mendoj se ai që e ka marrë nuk do të kuptojë asgjë për shkak të dorëshkrimit tim”, duke e lënë të nënkuptohet se nuk e di as vet sesi ka ardhur deri te zhdukje e dokumenteve të veta.

Më tej thuhet se në këtë pjesë të zhdukur të dokumenteve “ka pasur përshtypje dhe mendime për Serbinë”.

Asnjëherë deri tani nuk është raportuar për këtë skandal në Ambasadën e Rusisë në Beograd, e as kush mund ta ketë kryer këtë vepër. Nuk është folur as për motivet, nëse kjo është vepër e vet stafit brenda Ambasadës apo jo.

Më parë është raportuar nëpër media të ndryshme botërore se Rusia viteve të fundit ka shënuar shumë probleme me përfaqësuesit diplomatikë nëpër botë. Disa prej tyre janë vrarë, disa kanë vdekur më mënyrë misterioze dhe disa të tjerë papritmas janë shkarkuar.


(Kosova Sot Online)