Dyqanet u hapen, por ja çfarë po ndodhë në veri të Kosovës

  • 03 July 2019 - 10:29
Dyqanet u hapen, por ja çfarë po ndodhë në veri të Kosovës

Shoqata e afaristëve serbë në veriun e Kosovës tha dje se të mërkurën do të rihapen dyqanet, që qëndruan të mbyllura për dy ditë në atë zonë.

Mbyllja e dyqaneve ishte pjesë e protestës ndaj tarifave prej 100 për qind, që Qeveria e Kosovës u vuri mallrave serbe në nëntor të vitit të kaluar, në shenjë kundërvënieje, siç është thënë, fushatës agresive të Serbisë ndaj shtetësisë së Kosovës.

Në një njoftim të shoqatës së afaristëve serbë thuhet se “protesta paralajmëruese dëshmoi fuqinë, bashkimin dhe gatishmërinë për luftën e serbëve në veriun e Kosovës. Dëshmuam fuqinë dhe bashkimin që nuk mund të na thyejnë dhe nuk do të durojmë që të qëllojnë dhe të sulmojnë ata që bëjnë furnizimin me mallra jetike”, thuhet në njoftim në të cilin theksohet se çdo përpjekje e mëtejshme e Prishtinës do të përballet me përgjigje të fuqishme. 

“I bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që përfundimisht të kuptojë situatën dramatike dhe të reagojë për të qetësuar Prishtinën, para se të ndodhë ndonjë incident që mund t’i sjellë hesapet në pikën pa kthim”, thuhet në njoftim.

Autoritetet në Serbi dhe përfaqësuesit lokal serb në veriun e Kosovës, thonë se tarifat dhe operacionet e policisë së Kosovës për të mbyllur rrugët alternative përtej vendkalimeve kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kanë bërë që të mungojnë mallrat themelore siç janë mielli dhe prodhimet e qumështit dhe se veriu është në “prag të krizës humanitare”.

Siç raporton portali lokal nga veriu, Kossev, në komunat veriore kanë mbërritur pemë dhe perime të freskëta mëngjesin e së mërkurës.

Por, siç shkruan Kossev, shumica e dyqaneve kanë mungesë të produkteve të qumështit.

Tregtarët kanë thënë se mallrat janë “lëshuar” dje dhe se këto mallra kanë ardhur nga Serbia dhe nga Bosnja.

(Kosova Sot Online)