Skandaloze: Qytetarët në hall me Kompaninë e Blerim Devollit që po ua gjuan qumështin e prishur në lumë

  • 03 July 2019 - 17:37
Skandaloze: Qytetarët në hall me Kompaninë e Blerim Devollit që po ua gjuan qumështin e prishur në lumë

Kompania Vita që është pronë e Blerim Devollit, po i dëmton tash e sa vite qytetarët e Komunës së Istogut, duke i derdhur produktet që janë pa afat në rrjedhën e lumit Istog, ujin e të cilit fermerët atje e përdorin për ujitje. Punë nuk kryen as vërejtjet e inspektorëve të Komunës, që hiç më larg se sot këtë kompani e dënuan për hedhje të mbeturinave me një shumë qesharake prej 100 euro. Për tre muaj ‘Vita’ i ka marrë katër gjoba të tilla . Rreth kësaj, media ka folur me  banorët dhe inspektorin e komunës.

Rrjedha e lumit Istog merr çdo ditë ngjyrën e bardhë, nga produktet të cilat derdhën aty përmes kanalizimit nga kompania “Vita”, pronë e Blerim Devollit . Të gjitha produktet, ato të cilat janë me afat të skaduar, apo që nuk mund të plasohen në treg për shitje, kanë fatin e njëjtë.

Megjithëse, banorët janë shprehur shumë të shqetësuar nga dëmet që po u bëhen e komuna ka shqiptuar disa gjoba në vlerë nga 100 euro, kjo kompani ka vazhduar me avazin e njëjtë. Fajin ata për këtë po ia hedhin Ministrisë, që i kanë dhënë leje mjedisore kompanisë në fjalë, por, që këta të fundit kanë heshtur karshi këtij dëmtimi që po i bëhet natyrës.

Media ka biseduar me inspektorin e Komunës së Istogut, Fadil Kabashi i cili ka bërë të ditur se sot në mëngjes ka qëndruar në vend të ngjarjes, ku ka ka shqiptuar një gjobë mandatore.

“Është pastrim nga derdhja nga qumështi që kanë pas, sot në mëngjes në ora 10:40 ne kemi qenë atje dhe e kemi shqiptu një gjobë mandatore. Por, duhet me ditë që kompania Devolli ka licencë, leje mjedisore prej ministrisë dhe ajo e monitorohet prej inspektoratit qendror e jo prej inspektoratit komunal. Ka leje mjedisore që i nënkupton kushtet e operimit të operatorit. Kemi shqiptu  një gjobë mandatore, vlera e saj është 100 euro, për ndotjen e asaj që e kanë shkaktu”, deklaron Kabashi.

Ai ka thënë se kompanisë “Vita”  disa herë i ka sugjeruar që të gjejnë një zgjidhje, por që s’është përfilluar.

“Ne disa herë iu kemi sugjeruar që duhet me e zgjidhë këtë çështje këtë problem është gjoba e katër në tre muajt e fundit që po ju shqiptojmë kompanisë Vita. Megjithatë, operimi i tyre inspektohet prej inspektoratit mjekësor, ne e kemi trajtu si mbeturinë atë hedhje dhe ka qenë dënimi maksimal. Ai është qumësht, ne nuk kemi marrë mostra për analizë për shkak se nuk është kompetencë e jona ne e kemi trajtu si mbeturinë e hedhur në lum”, shton ai.

(Kosova Sot Online)