Haradinaj e liron nga detyra zëvendësministrin që i mbante këmbët përpjetë në veturën zyrtare

  • 05 July 2019 - 09:12
Haradinaj e liron nga detyra zëvendësministrin që i mbante këmbët përpjetë në veturën zyrtare

Kryeministri Ramush Haradinaj, po merr pjesë në Samitin e Vendeve të Ballkanit Perëndimor në Poznan të Polonisë.

Nga atje kryeministri ka liruar nga detyra zëvendësministrin e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Shukri Maxhuni. Këtë ai e ka bërë të ditur nëpërmjet një shkrimi në Facebook.

“Sot kam liruar nga detyra zëvendësministrin e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Shukri Maxhuni”, ka shkruar Haradinaj.

Lirimin nga detyra të Maxhunit e ka kërkuar zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli.

Pacolli ka reaguar ndaj veprimit të Maxhunii, i cili ditë më parë është fotografuar në veturën zyrtare, deri sa i mbante këmbët pranë xhamit të përparmë.

“I pahijshëm akti i Zëvendës Ministrit të Bujqësisë zotni Maxhunit me sjelljen e tij në një veturë zyrtare. Kjo nuk është mënyra se si një zyrtar qeveritar sillet me pronën që është blerë nga taksat e qytetarëve tanë.

Pavarësisht kush është , është një akt i papranueshëm që nuk pasqyron vizionin tonë për zhvillim dhe shërbime më të mira për qytetarët tanë. Kjo nuk është mënyra se si duhet të trajtohet prona publike dhe ne e dënojmë aktin dhe të parandalojmë rastet e tilla. Unë kam kërkuar nga Kryeministri të shkarkojë Zëvendësministrin Maxhuni nga detyra e tij. AKR dhe unë nuk do të tolerojmë dhe nuk pranojmë akte të tilla nga zyrtaret tanë. Zyrtarët publik duhet t’u shërbejnë qytetareve tanë dhe të mos abuzojnë me pozitat e tyre në një mënyrë të tillë”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

(Kosova Sot Online )