Serbia tha se parandaloi anëtarësimin e ATK’së në IOTA – s’ka asnjë reagim nga Kosova

  • 10 July 2019 - 12:50
Serbia tha se parandaloi anëtarësimin e ATK’së në IOTA – s’ka asnjë reagim nga Kosova

Asnjë nga krerët e institucioneve të Republikës së Kosovës nuk e ka folur as edhe një fjalë për rastin e dështimit të Administratës Tatimore të Kosovës për t’u anëtarësuar në IOTA( Organizatën Evropiane për Administrata Tatimore).

Një gjë të tillë e kishte treguar dje ministri i Financave i Serbisë, Sinisa Mali, duke thënë se mos anëtarësimi i Kosovës në një organizatë të tillë është një lajm i mirë për shtetin e tij.

“Ky është një lajm i mirë për Serbinë dhe një konfirmim tjetër se ia kemi dalë që ta vërtetojmë ilegalitetin e të ashtuquajturave institucione të Kosovës. Kemi treguar se asgjë nuk mund të arrihet pa një marrëveshje me Beogradin”, ka deklaruar dje ministri serb. 

Menjëherë këtyre deklaratave, media është interesuar dhe ka telefonuar në ministrinë e Financave të Republikës së Kosovës.

Nga kabineti i ministrit të Financave, Bedri Hamza, kanë thënë që për këtë çështje duhet drejtuar tek Administrata Tatimore e Kosovës.

Ndërkohë zëdhënësja e ATK-së, Valentina Bytyqi-Sefaj në një përgjigje, ka thënë se për këtë çështje është mirë që të kontaktohet zyra e informimit të Ministrisë së Financave.

“Ju lutem kontaktoni Zyrën për Informim ne MF” , ka thënë Sefaj, edhe përkundër faktit se në email ishte paralajmëruar paraprakisht kishte kontaktuar me Ministrinë e Financave.

Përkundër gjithë kësaj,  dje gjatë ditës menjëherë i ka drejtuar një email me shkrim edhe zyrës për Media në Ministrinë që udhëhiqet nga Bedri Hamza, por nuk ka marrë një përgjigje.

Reagime nuk ka pasur as nga zyra e kryeministrit Haradinaj, ndërkohë për një gjë të tillë nuk kanë folur as nga partitë politike pozitë e opozitë.

Serbia po e vazhdon lobimin e saj të egër kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata të rëndësishme ndërkombëtare, edhe përkundër thirrjeve nga shtete të ndryshme që të ndalë veprime të tilla, me qëllim të normalizimit të raporteve me Kosovën.

(Kosova Sot Online)