Kurti: Z-Mobile është rrëmbyese e pasurisë dhe vlerave

  • 13 July 2019 - 17:39
Kurti: Z-Mobile është rrëmbyese e pasurisë dhe vlerave

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka reaguar sërish lidhur me gjendjen në Telekomin e Kosovës. Fajin për këtë gjendje ia ka lënë “PANQeverisë”. Për Z-Mobile ka thënë se është rrëmbyese e vlerave dhe pasurisë. Por, ka thënë se Telekomi do të iu mbijetojë grabitësve.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se në ekonominë e vendit tonë, Z- Mobile nuk është krijuese e vlerës dhe pasurisë por rrëmbyese e tyre.

Ai ka kujtuar njëvjetorin e Rezolutës së Kuvendit për Telekomin e Kosovës, dhe ka thënë se nëse 12 pikat e asaj marrëveshje do të ndërmirreshin me kohë nga Qeveria dhe institucionet përgjegjëse, sot Telekomi do të kishte marrë frymë lirisht. Fajin për gjendjen aktuale ia ka lënë koalicionit qeverisës.

“Aktualisht qeveria dhe drejtuesit e Telekomit po hamendësohen a do t’ia shkëpusin apo jo kontratën Z-Mobile dhe kur do t’ia paguajnë gjobën arbitrare, në vend se prerazi të merrnin vendim për ndërprerjen e saj dhe ta dërgonin në organet e sigurisë e drejtësisë këtë rast të krimit të organizuar”, ka shkruar Kurti.

Për Z-mobile ka thënë se është rrëmbyese e vlerave dhe pasurisë.

“Në ekonominë e vendit tonë, Z- Mobile nuk është krijuese e vlerës dhe pasurisë por rrëmbyese e tyre. E ky rast nuk është i izoluar. Ai përshkruan sferën e tyre të veprimit: grabit, grabit, grabit. Një herë nga e mira publike, një herë si kompani në kurriz të publikes dhe një herë si gjobë ndaj publikes”, ka shkruar Kurti.

Shkrimi i tij i plotë:

Asnjë fjalë Qeveria dje për njëvjetorin e Rezolutës së Kuvendit për Telekomin e Kosovës. Më 12 korrik 2018 u mor vendimi edhe që duhet të mbrohet Telekomi edhe si duhet të nxjerret nga kriza ai. Asnjë fjalë asnjë zyrtar.

Aty në 12 pika përshkruhen hapa të cilët nëse ishin ndërmarrë me kohë nga Qeveria dhe institucionet përgjegjëse, sot Telekomi do të kishte marrë frymë lirisht. Por PANQeveria zgjodhi të eksperimentojë me persona joprofesionistë e të kompromentuar nga radhët e tyre, në krye të Telekomit. 

Aktualisht qeveria dhe drejtuesit e Telekomit po hamendësohen a do t’ia shkëpusin apo jo kontratën Z-Mobile dhe kur do t’ia paguajnë gjobën arbitrare, në vend se prerazi të merrnin vendim për ndërprerjen e saj dhe ta dërgonin në organet e sigurisë e drejtësisë këtë rast të krimit të organizuar.

Në ekonominë e vendit tonë, Z- Mobile nuk është krijuese e vlerës dhe pasurisë por rrëmbyese e tyre. E ky rast nuk është i izoluar. Ai përshkruan sferën e tyre të veprimit: grabit, grabit, grabit. Një herë nga e mira publike, një herë si kompani në kurriz të publikes dhe një herë si gjobë ndaj publikes.

Telekomi do t’i mbijetojë grabitësve. Padyshim.

Por si në çdo fushë nevojitet organizim i profesionistëve të ndershëm, i punëtorëve të devotshëm dhe i sindikatës aktive.

Mbështetja jonë nuk ka për të munguar.

(Kosova Sot Online)