Alarmon eksperti i sigurisë: Kështu po pengohet zhvillimi i AKI-së nga strukturat serbe

  • 15 July 2019 - 17:46
Alarmon eksperti i sigurisë: Kështu po pengohet zhvillimi i AKI-së nga strukturat serbe

“Largimin e Drejtorit të AKI-së që ishte në vitin 2016 dhe zëvendësimet e mëpastajme, i shoh si përpjekje të rrjetit të strukturave të fshehta serbe në Kosovë që të pengojnë veprimtarinë e AKI-së në ndjekjen strukturave të fshehta serbe”, tha Xhevat Meha për “Kosova Sot Online”.

Policia e Kosovës ka arrestuar të enjten dy qytetarë serb tek pika kufitare “Dheu i Bardhë”, të cilët dyshohen për veprën penale të ‘’Spiunazhit’’.

E kjo nuk është hera e parë që në vendin tonë raportohet për arrestim të spiunëve të shërbimeve të huaja sekrete, por në këtë rast, ekspertët e sigurisë vlerësojnë se ky është një alarm serioz për Kosovën, pasi të njëjtit kanë pasur edhe marrëdhënie punë në institucionet e shtetit të Kosovës.

Image
Xhevat Meha

Sipas njohësit të fushës së sigurisë, Xhevat Meha, Kosova ka qenë vazhdimisht dhe po mbetet zonë e rrezikuar në fushën e sigurisë nga veprimet gati të pa penguara të rrjeteve të ndryshme të spiunazhit.

Madje Meha nuk e fsheh fare faktin që Kosova vazhdon jetë bërë çerdhe e spiunëve serbë, dhe jo vetëm atyre pasi, AKI-ja dhe përgatitja profesionale shërbimit të kundër zbulimit në AKI- që ka qenë një projekt i hershëm i bashkëpunimit me CIA amerikane, ka mbetur në gjysmë të rrugës për shkak të ndërhyrjes politike dhe krijimit të jo stabilitetit në udhëheqjen e AKI-së.

“Arrestimi i fundit o këtyre spiunëve është rezultat i bashkëpunimit dhe përgatitjes profesionale të një pjese të stafit të AKI-së nga CIA amerikane, për aq sa ka pasur sukses para tre vjetësh. Kur e kemi fjalën për punën e AKI-së disa zhvillime duhet përkujtuar lexuesit se këto zhvillime kanë pasur prani në media mirëpo publiciteti ka qenë minimal për faktin se mediet si edhe institucionet tjera janë nën kontroll të rrjetit të spiunëve të Serbisë në Kosovë”, tha Meha për “Kosova Sot Online”.

Madje ai thotë se projekti për ta fuqizuar AKI-në nga CIA, ka qenë në zhvillim e sipër që nga viti 2016 por nuk ka shkuar deri në fund.

“Në pranverë të vitit 2016 ka pasur një takim mes Drejtorit të atëhershëm të AKI-së dhe Drejtorit të CIA-së. Në këtë takim është biseduar që AKI të zgjeroj veprimtarinë e saj edhe në ndjekjen e veprimtarisë së strukturave të huaja të fshehta armiqësore ndaj Kosovës. Konsideroj se është e pritshme që pas këtij takimi të ketë pasur edhe marrëveshje bashkëpunimi mes AKI-së dhe CIA-së për mbështetjen e AKI-së. Drejtori i atëhershëm i AKI-së jo shumë kohë pas kësaj u largua nga detyra për t'u zëvendësuar fillimisht me një person i cili u detyrua të jap dorëheqje dhe tani kemi një tjetër drejtor të AKI-se. Largimin e Drejtorit të AKI-së që ishte në vitin 2016 dhe zëvendësimet e mëpastajme i shoh si përpjekje të rrjetit të strukturave të fshehta serbe në Kosovë që të pengojnë veprimtarinë e AKI-së në ndjekjen strukturave të fshehta serbe”, deklaroi Xhevat Meha për “Kosova Sot Online”.

Për fund, ai thotë se derisa ka një mbështetje të CIA-s në këtë fushë, ndjekja dhe zbulimi i agjentëve sekret serbë që veprojnë në Kosovë do të vazhdojë,

“Sado me vështirësi, nuk do të ndalet ndjeka dhe kapja e tyre. Sado që drejtorët pasues të AKI-së përpiqen të pengojnë AKI-në në ndjekjen e strukturave të fshehta serbe nuk do të mundë të ndalin këtë ndjekje”, përfundoi Meha për “Kosova Sot Online".

(Kosova Sot Online)