BE-ja sanksionon Turqinë për shkak të shpimeve në ujërat e Qipros

  • 16 July 2019 - 14:24
BE-ja sanksionon Turqinë për shkak të shpimeve në ujërat e Qipros

Bashkimi Evropian do t’i zvogëlojë ndihmat financiare për Turqinë dhe do t’i ndërpresë bisedimet e nivelit të lartë me këtë shtet si pjesë e një vargu sanksionesh të vendosura për shkak të shpimeve në det për nxjerrje të gazit natyror afër bregdetit të Qipros.

Ministrat e jashtëm të shteteve anëtare të BE-së, të cilët u takuan të hënën në Bruksel, vendosën ta zvogëlojnë ndihmën financiare për Turqinë në vitin 2020 për gati 146 milionë euro më pak. Ata gjithashtu i suspenduan negociatat dypalëshe mes Turqisë dhe Bashkimit Evropian.

Për më tepër, ata kërkuan nga Banka Evropiane për Investime, e cila është institucion huadhënës jofitimprurës i BE-së, që ta shqyrtojë dhënien e huave në Turqi. Vitin e kaluar, kjo bankë ia ka huazuar Turqisë 358.8 milionë euro.

Këshilli Evropian i bëri përsëri thirrje Turqisë që të përmbahet nga shpimet detare afër bregdetit të Qipros dhe të veprojë në frymën e fqinjësisë së mirë dhe respektit ndaj sovranitetit të Qipros në pajtueshmëri me ligjet ndërkombëtare.

Turqia e dërgoi për herë të parë një anije shpuese në ujërat e Qipros dy muaj më parë. Republika e Qipros ligjërisht ka sovranitet në tërë ishullin, por “de facto” ishulli është i ndarë në dy pjesë për shkak se Republika Turke e Qipros Veriore e shpalli pavarësinë në mënyrë të njëanshme pas pushtimit turk të vitit 1974, shkruan “Euronews”.

(Kosova Sot Online)