Flet profesori i njohur për spiunët serb: Ja pse po frikësohet Kosova

  • 16 July 2019 - 16:16
Flet profesori i njohur për spiunët serb: Ja pse po frikësohet Kosova

“Këtu dhe në këtë anë kemi vetëm një përgjigje, ajo është mendoj çështje e frikës dhe e mos seriozitetit të organeve hetuese dhe të sistemit të drejtësisë në Kosovë. Këtu nuk dua të mendoj dhe do të më vinte shumë rëndë nëse do të mendoja edhe për anën tjetër, për ndonjë lidhje në aspektin e bashkëpunimit apo të spiunimit...”, tha Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Edhe pse kemi pasur kohët e fundit disa arrestime të qytetarëve të komunitetit serb, për veprime të kundërligjshme, e së fundi edhe të dyshuar e të zbuluar për lidhje spiunazhi me shërbimet sekrete serbe, institucionet e shtetit të Kosovës brenda pak orësh i kanë liruar të njëjtit. Sipas raportimeve të fundit autoritetet e Kosovës i kanë liruar edhe dy serbët e arrestuar ditë më parë në pikëkalimin kufitar midis Kosovës e Serbisë te Dheu i Bardhë, me dyshimin për aktivitet spiunazhi.

Lidhur me këtë veprim kaq të shpejtë të institucioneve të shtetit të Kosovës, ka reaguar profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi. Ai akuzon palën kosovare se nuk është në nivel të detyrës dhe përgjegjësive kushtetuese, por po sillet me përulje ndaj kërcënimeve dhe shantazheve të mundshme që mundë të pasojnë si kundërpërgjigje nga pala serbe.

Image
Muhamet Kelmendi

“Veprimi i tillë që vjen nga organet e ndjekjes në Kosovë tregojnë jo seriozitetin e organeve hetuese dhe frikën që kanë këto organe. Nuk don shumë logjikë dhe me siguri dihet se çfarë spiunazhi bëjnë sidomos anëtarët e Listës Serbe, por edhe të tjerët, kryesisht ata që vijnë nga Serbia. Kjo është parë nga puna dhe nga lidhjet që këta gjoja zyrtar politik i kanë me organet e shtetit në Serbi. Me siguri se fakte ka! Pra, pse nuk ndalen dhe nuk përgjigjen është një çështje që duhet të thuhet”, tha Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Më tej, Kelmendi thotë se nuk dëshiron të besojë se kjo mënyrë veprimi bëhet për pazare të caktuara politike, por për një lloj frike që akoma kanë nivele të caktuara të institucioneve të Kosovës nga reaksionet serbe. 

“Këtu dhe në këtë anë kemi vetëm një përgjigje, ajo është mendoj çështje e frikës dhe e mos seriozitetit të organeve hetuese dhe të sistemit të drejtësisë në Kosovë. Këtu nuk dua të mendoj dhe do të më vinte shumë rëndë nëse do të mendoja edhe për anën tjetër, për ndonjë lidhje në aspektin e bashkëpunimit apo të spiunimit sepse po ta kisha edhe këtë bindja unë pa asnjë hezitim do ta thosha këtë”, tha Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, për ta arsyetuar si duhet qëndrimin dhe politikën e mbrojtjes serioze të shtetit, këto lloj sjelljesh të ulëta nënshtruese, duhet të ndërpriten dhe të gjithë ata që kapen me dyshime për shkelje të ligjeve të Kosovës, duhet të nxirren këtu para ligjit dhe të dënohen.

“Më shumë dua të anoj te kjo çështje duke besuar se është një lloj sjellje nënshtruese dhe prej frikacakësh prandaj nuk po trajtohet si duhet, sikur ishte me rastin e fundit, edhe përgjegjësia penale e spiunëve apo e ndonjë krimineli serb të kapur dhe zbuluar duke vepruar në Kosovë”, përfundoi Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)