Rritet uria nëpër botë, 820 milionë njerëz në rrezik

  • 16 July 2019 - 23:29
Rritet uria nëpër botë, 820 milionë njerëz në rrezik

Raporti për sigurinë e ushqimit i OKB-së tregon se ka ende mjaft njerëz të uritur nëpër botë, e tre janë sipas tij arsyet kryesore të kësaj situate: konfliktet, zhvillimi i ngadaltë dhe ndryshimi i klimës.

Qëllimi për ta eleminuar urinë deri në 2030-tën po shndërrohet në një sfidë vërtet të vështirë, thuhet në raport. 820 milionë vete, theksohet aty, vuajnë nga uria kronike; 149 milionë prej tyre jane fëmijë nën moshën pesë vjeë, të cilët kanë mbetur të pazhvilluar nga mungesa e ushqimit.

Urgjente, gjendja paraqitet për gati 96 milionë njerëz, të cilët duhet të kenë qasje të menjëhershme tek ushqimi që të mos vdesin. Më alarmante situata mbetet në Afrikë, rajoni me nivelin më të lartë të urisë në botë; fenomeni mbetet akut në rajonet lindore të Afrikës, ku gati një e treta e popullsisë është e kequshqyer.

Kushteve klimatike dhe konflikteve i shtohen dhe ngërçet ekonomike si faktorë kryesorë që çojnë drejt kësaj situate. Kjo problematikë e rëndë prek dhe Azinë e Jugut, me mbi 500 milionë njerëz të kequshqyer.

Si në këtë zonë, ashtu dhe në Afrikën sub-sahariane, një në tre fëmijë nuk është i zhvilluar siç duhet. Përballë të uriturve në botë qëndrojnë, sipas “World Wealth Report”, 18 milionë vetë nëpër botë që zotërojnë të paktën një million dollarë.


(Kosova Sot Online)