Pas mbylljes së tri universiteteve, vjen kërkesa e radhës: Ja edhe cilat universitete duhet mbyllur

  • 17 July 2019 - 07:33
Pas mbylljes së tri universiteteve, vjen kërkesa e radhës: Ja edhe cilat universitete duhet mbyllur

“Për çfarë arsimi të lartë mundë të flasim kur shumica e politikanëve, gratë dhe familjarët e tyre janë bërë mësimdhënës në këto Universitete publike dhe private. Arsimin e kanë shndërruar në një cirk për shkak të interesave të tyre”, tha Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Analisti politik, Faik Krasniqi e ka vlerësuar si të drejtë vendimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë për mbylljen e tri universiteteve publike, Universitetit të Mitrovicës, Pejës dhe Prizrenit. Madje ai kërkon që monitorimi, vlerësimi dhe marrja e vendimeve të reja për të vazhduar me mbylljen e universiteteve tjera të ngjashme të vazhdojë edhe më tutje, sepse sipas Krasniqit, themelimi i tyre në të kaluarën ka qenë vetëm për interesa të politikanëve.

Image

Sipas Krasniqit, këto universitete nëpër qytetet e Kosovës thellësisht e kanë degraduar cilësinë e arsimit të lartë në vend, dhe kjo duhet të ndërpritet si praktikë e deritanishme.

“Në çdo shtet të botës arsimi është shtylla kryesore e një shteti kurse tek ne është e kundërta. Arsimi tek ne shërben për të prodhuar injorantë me diploma dhe mënyrë për t'u pasuruar, në mënyra të ndryshme. Cilësi në arsim nuk mundë të kemi deri sa nuk mbyllen të gjitha kolegjet private, prapa të cilave qëndron mafio-politika, por njëkohësisht edhe reduktimi i studenteve në ato publike. Themelimi i Universiteteve publike edhe në qendrat e tjera të mëdha të Kosovës, ka qenë fare i panevojshëm. Ato janë hapur thjeshtë për efekt të votave dhe për përfitime personale”, tha Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Madje ai thotë se nga universitetet publike dhe kolegjet private në rritje, si dhe nga numri i madh i studentëve të panevojshëm, sidomos në ato publike, vetëm sa është degraduar arsimi sepse të gjitha këto ia kanë humbur vlerën diplomës universitare.

“Me një fjalë Kosova është shndërruar në një fabrikë gjigante për prodhimin e analfabetëve me diploma. Për çfarë arsimi të lartë mundë të flasim kur shumica e politikanëve, gratë dhe familjarët e tyre janë bërë mësimdhënës në këto Universitete publike dhe private. Arsimin e kanë shndërruar në një cirk për shkak të interesave të tyre”, tha analisti Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Për fund, ai thotë se rikthimi i cilësisë dhe normalitetit mund të realizohet vetëm me reduktim të universiteteve dhe të numrit të nxënësve që do të regjistrohen aty.

“Për t'u këndellur arsimi në Kosovë, duhet të mbyllen të gjitha universitetet publike dhe private, me përjashtim të atij të Prishtinës, por edhe aty numri i studentëve të reduktohet dukshëm,me staf akademik cilësor dhe jo me debilët që nga mali janë bërë mësimdhënës”, përfundoi analisti politik, Faik Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)