Qytetarët ia mësyjnë Kuvendit, kundërshtojnë ashpër homologimin me mbi 10 mijë nënshkrime

  • 17 July 2019 - 08:23
Qytetarët ia mësyjnë Kuvendit, kundërshtojnë ashpër homologimin me mbi 10 mijë nënshkrime

Sot në Kuvendin e Kosovës do të dorëzohet peticioni i nënshkruar nga qytetarët që kërkon heqjen e homologimit të veturave.

Ky peticion është nënshkruar nga më shumë se 10 mijë qytetarë, ndërkaq përfaqësuesit e peticionit kanë bërë të ditur se do ta dorëzojnë atë në Kuvend sot në orën 10:00.

Qytetarët përmes këtij peticioni kërkojnë që Ligji për automjetet të ndryshohet dhe obligimi për homologim të hiqet tërësisht.

Vazhdimi i monopolit për homologim ka ngjallur debate të shumta në vend. Po ashtu Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka gjetur se disa nene të udhëzimit administrativ të Ministrisë së Infrastrukturës binin ndesh me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës.

Kompania e vetme në Kosovë e cila e bën homologimin e veturave është “EuroLab”, kompani kjo në pronësi të Devollëve.

Kompania e Shkëlqim Devollit asnjëherë nuk ka pasur konkurrent në Kosovë në tregun e homologimit të veturave, dhe qeveria asnjëherë nuk ia ka ndalur fitimin enorm kësaj kompanie.

E për këtë kishte reaguar edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt. Ai kishte thënë se nuk e kupton se si veturat që vijnë me të gjitha dokumentet dhe kontrollat e nevojshme, duhet t’i nënshtrohen edhe një kontrolli tjetër nga kompania private, që në këtë rast është e Devollit.

“Vetëm një ambasador i gjorë që po provojë të kuptojë logjikën se si shkojnë procedurat: Veturat e reja nga Evropa importohen në Kosovë me dokumente të kompletuara për homologim. Por pastaj, gjithçka duhet të kontrollohet edhe njëherë nga një monopol lokal që duhet të paguhet më shtrenjtë në gjithë BE’në??”, kishte shkruar Heldt në Twitter.

Një reagim të njëjtë e ka pasur edhe shefja e Zyrës së BE’së në Kosovë, Nataliya Apostolova.

Ndryshe, çdo makinë e importuar në Kosovë duhet t’i nënshtrohet një kontrolli rutinor i quajtur “homologim”. Ky lloj kontrolli bëhet vetëm për t’i inkasuar 125 euro

Pra, secili qytetarë apo kompani që blenë vetura, detyrohet t’i nënshtrohet homologimit në Qendrën e Automjeteve të Kosovës (QAK).

(Kosova Sot Online)