Kush do të jetë ambasador i ri në Itali, çfarë thonë në MPJ

  • 18 July 2019 - 17:44
Kush do të jetë ambasador i ri në Itali, çfarë thonë në MPJ

Ambasadori i ri i Kosovës në Itali nuk do të zgjidhet nga politika. Së paku kështu premtojnë në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Zyrtarë të MPJ’së i kanë thënë medias se vendin e Alma Lamës atje do ta zë një diplomat karriere nga Shërbimi Diplomatik i Kosovës.

Këshilltari i Ministrit të Punëve të Jashtme, Jetlir Zyberaj i ka thënë se ambasadori i ri nuk do të jetë politik.

“Ambasadori i ri në Itali nuk do të jetë politik. Do të jetë i karrierës”, ka thënë Zyberaj. 

Ndërkohë, për datën se kur do të dekretohet ambasadori i ri në Itali, në MPJ kanë deklaruar se do të ndodhë shpejt.

“Nominimi i ambasadorit/shefit të Misionit Diplomatik të Republikës së Kosovës në Republikën e Italisë, do të ndodh shpejt. Për dekretimin e ambasadorit të ri në Itali do të ju mbajmë të informuar në momentin që ndodh”, thuhet në përgjigjet e MPJ’së.

Deri më tani në Itali ka shërbyer Alma Lama e cila është shkarkuar nga Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi nëpërmjet një dekreti. Pavarësisht se dekreti është nënshkruar në nëntor të vitit të kaluar, Lama nga Italia është kthyer vetëm ditëve të fundit.


(Kosova Sot Online)