Deputetja e AAK’së: Mbyllja e universiteteve, hap i ngutshëm, i ka edhe dy fjalë...

  • 18 July 2019 - 21:39
Deputetja e AAK’së: Mbyllja e universiteteve, hap i ngutshëm, i ka edhe dy fjalë...

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu, e cila është edhe nënkryetare e Komisionit Parlamentar për Arsim, ka thënë se me arsimin e lartë në Kosovë po tentohet të bëhet biznes në dëm të qytetarëve të varfër.

Haxhiu ka thënë se universitet publike u themeluan me votat e shumicës së deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

“E kam mbrojtur vendimin për themelimin e këtyre universiteteve sepse një student nga një fshat i Gjakovës e ka mundësinë që me 50 cent të shkojë në Gjakovë, Pejë apo Prizren për të studiuar dhe nuk e ka luksin sikur fëmija im apo i ndonjë deputeti për të shkuar në kolegje private”, tha ajo.

Ajo ka thënë se mbyllja e këtyre universiteteve është shumë shqetësuese duke e konsideruar si hap të ngutshëm.

“Në Kosovë bëhet biznes me arsimin e lartë. Biznesin e bëjnë ata që kanë mjete materiale. Ata që nuk kanë mjete, janë të diskriminuar në arsim”.

Nënkryetarja e Komisionit për Arsim në Kuvendin e Kosovës, thotë se rreth 8,000 studentë studiojnë në universitetet e mbyllur publike dhe mbyllja e tyre sipas saj do të ishte mundësi biznesi për kolegjet private.

“Nëse marrim 1,000 euro mesatarisht vitin që paguajnë studentët në kolegjet private, qytetarët tanë nuk e kanë standardin t’i dërgojnë fëmijët në këto institucione”.

Deputetja e AAK-së thotë se Kosova nuk ka mundësi t’u ofrojë punë kandidatëve që kanë vetëm shkollën e mesme prandaj studimet janë të nevojshme për punësim.

Ajo shton se nëse mbyllen universitetet publike e prindërit nuk kanë mundësi për t’i dërguar fëmijët në kolegje private, ata të rinj do të largohen nga vendi.

(Kosova Sot Online)