Shteti i mbylli, por dikush gjeti zgjidhje për adhuruesit e bastoreve

  • 19 July 2019 - 14:36
Shteti i mbylli, por dikush gjeti zgjidhje për adhuruesit e bastoreve

Me 22 mars, Kuvendi u dha fund bastoreve në Kosovë. Me 74 vota pro dhe asnjë abstenim, deputetët e Kuvendit miratuan rezolutën për pezullimin e aktivitetit të kazinove dhe lojërave të fatit.

Deri të mbyllja e tyre erdhi për shkak të disa vrasjeve të cilat u kryen nëpër kazino, ku e fundit ishte vrasja e 36 vjeçarit në Lipjan.

Drejtoria për Hetimin e Krimit të organizuar në mbështetje të njësiteve tjera të specializuara të Policisë së Kosovës, po realizojnë aksione kundër lokaleve të lojërave të fatit, me dyshimin se ato po vazhdojnë punën e tyre në mënyrë të paligjshme.

Mirëpo, shumë biznese të lojërave të fatit po e vazhdojnë punën e tyre në një mënyrë tjetër, atë online.

Të tilla bastore që përdorin skemën online janë kapur edhe nga Policia, nëpër aksione të ndryshme që po realizojnë nëpër komuna.

Disa burime që kanë dashur të mbesin anonim për Indeksonline kanë treguar se lojërat e fatit po luhen përmes një aplikacioni në interent.

“Llogaritë janë online, përmes një aplikacioni që na i hapin. Pas kësaj, edhe lojën e bëjmë online. Nëse fitojmë, parët i tërheqim kesh”, ka thënë një burim anonim.

“Madje, po lypin edhe punëtorë…”, ka thënë tutje burimi.

ATK- e cila ka mbyllur lojërat e fatit pas vendimit të Qeverisë me ligjin e ri nuk ka më kompetenca sa i përket kontrollit të këtyre bizneseve.

“Ju njoftojmë se ATK me ligjin e ri më nuk ka kompetenca që t’i monitoroi lojërat e fatit”, thuhet në përgjigjen e tyre të pyetur se a janë në dijeni për bastoret online.

Ndërsa, as Ministria e Tregtisë dhe Industrisë më nuk është përgjegjëse për këtë çështje, pasi me ligj të ri më këto biznese nuk ekzistojnë, janë të kundërligjshme.

Kurse, Policia e Kosovës është e vetmja e cila po realizon hetime dhe aksione sa i përket kësaj veprimtarie të jashtëligjshme.

Në një përgjigje për Indeksonline, zyrtarë nga Policia kanë bërë të ditur se nga 22 marsi, dita kur është marrë vendimi për mbylljen e tyre, janë iniciuar 24 raste dhe janë arrestuar 20 persona.

“Nga data, 22 mars 2019, policia, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), ka iniciuar 24 raste, “organizim i skemave piramidale”, janë arrestuar 20 persona dhe është ngritur kallëzim penal për 24 persona te inkriminuar në këtë vepër penale”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Ndërsa, kanë theksuar se pos DHKEK si nivel qendror, raste nga kjo vepër penale mund të iniciohen, hetohen edhe nga nivelet regjionale dhe lokale (Drejtoritë Rajonale Policore dhe Stacionet Policore).

Aksioni i fundit i Policisë ishte të dielën, ku me planin operativ të koduar “Kontrollimi i Lokaleve 2019”, Policia ka hasur në një lokal i cili nuk kishe as leje e as mbishkrim, por që në të janë gjetur pesë aparate të lojërave të fatit.

Aparatet për lojërat e fatit janë konfiskuar nga Dogana e Kosovës ndërsa të dyshuarit me urdhër të prokurorit të shtetit i është caktuar masa e ndalimit prej 48- orësh. 

(Kosova Sot Online)