Ja çfarë kishte thënë për Gjykatën Speciale para 3 vitesh në Kosovë kryeministri i ri i Britanisë

  • 23 July 2019 - 15:16
Ja çfarë kishte thënë për Gjykatën Speciale para 3 vitesh në Kosovë kryeministri i ri i Britanisë

Kryeministri i posazgjedhur i Britanisë së Madhe, Boris Johnson kishte vizituar Kosovën  në vitin 2016 në cilësinë e Ministrit  të Jashtëm.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës, Johnson iu kishte drejtuar deputetëve me një fjalë rasti, ku kishte folur për marrëdhëniet dhe dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“E kuptoj sepse kam qenë këtu dhe e kam parë që e kaluara ka qenë e dhimbshme dhe nga asnjë shoqëri nuk pritet që të fshijë kujtimet lehtë nga e kaluara. Por Kosova dhe Serbia ndajnë një interes vital dhe një marrëdhënie normale. E di se për këtë gjë do të nevojitet guxim politik dhe udhëheqësi largpamëse por nuk kam dyshim se kjo do të arrihet. Po ashtu do të nevojitet përpjekje serioze për të zgjidhur gabimet e së kaluarës”. 

Johnson kishte thënë se bashkëpunimi i Kosovës me Gjykatën Speciale është shumë i rëndësishëm.

“Do të jetë e pakontestueshme që të gjithë fajtorët për krime luftë nga të dy palët të dënohen, dhe të njëjtën do ta them edhe në Beograd prandaj bashkëpunimi i Kosovës me Gjykatën Speciale për krimet e luftës është shumë i rëndësishëm sado e vështirë të jetë kjo. Britania dhe partnerët tjerë ndërkombëtar do ta përcjellin së afërmi punën e Gjykatës Speciale” ishte shprehur Johnson.

(Kosova Sot Online)