Ndrecaj sillet në Gjykatë i lidhur me zinxhirë në duar dhe këmbë

  • 24 July 2019 - 11:51
Ndrecaj sillet në Gjykatë i lidhur me zinxhirë në duar dhe këmbë

Pjetër Ndrecaj, i akuzuari për vrasjen e bashkëshortes dhe vajzës së tij, u soll i prangosur në këmbë e duar nga zyrtarët policorë në Gjykatën e Gjakovës

Me të filluar seanca, avokati i palës së dëmtuar Isa Osdautaj, kërkoi përjashtimin e gjyqtarit të kësaj çështje penale e gjithashtu të gjykatës Themelore të Gjakovës në tërësi.

“Kërkoj që të njoftohet edhe Prokuroria e Gjakovës që edhe aktakuzën ta përfaqësojë një prokurori tjetër, njëkohësisht edhe përjashtimin e Prokurorisë”, deklaroi avokati Osdautaj.

“Pala e dëmtuar është nga zona e Shqipërisë, ndërsa pala e akuzuar nga zona e Gjakovës e për këtë mund të ketë ndikime, e poashtu kryefamiljari i palës së dëmtuar deklaron se ka qenë i kërcënuar. E më e çuditshme se dy ditë pas vendimit të Gjykatës Supreme palës së dëmtuar i është djegur shtëpia e tyre e banimit”, tha Osdautaj.

Pas kësaj kërkese, prokurori Ali Uka tha se ata si Prokurori nuk mund të vendosin në lidhje me këtë përjashtim, meqenëse kryeprokurori i Gjakovës Ali Selimaj gjendet për shërim në SHBA, shkruan kallxo.

“Kryeprokurori do të paraqitet në punë nga fillimi i javës tjetër të ardhshme dhe do të vendos për këtë çështje penale”, deklaroi prokurori Ali Uka. 

“Gjithashtu jemi të mendimit se kërkesa e gjyqtarit dhe gjykatës së Gjakovës bashkë me Prokurorinë është e pabazuar dhe se besojmë se një kërkesë e tillë do të refuzohet”, tha Uka.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Pjetër Ndrecaj, avokati Prek Kola tha se nuk ka prova që pala e dëmtuar është kërcënuar nga ana e të akuzuarit.

“Për këto pretendime a ka ndonjë hap të hapur për kërcënim ose diçka, a ka prova”, deklaroi avokati Prek Kola.

“Ne si mbrojtje mendojmë se avokati i palës së dëmtuar është dashur që më herët ta paraqes me shkrim një kërkesë të tillë duke i bashkangjitur edhe arsyet e tij, andaj ne i propozojmë gjykatës që ta refuzoj një kërkesë të tillë”, tha Kola.

Ndërkaq gjyqtari Gëzim Pozhegu, ndërpreu seancën e sotme duke thënë se lidhur me këtë çështje derisa të vendosen do të njoftohen me shkrim, nëse do të vazhdohet gjykimi apo do të bartet në ndonjë gjykatë tjetër.

(Kosova Sot Online)