Zgjedhjet e reja, ky është problemi me të cilin PDK-ja po përballet

  • 25 korrik 2019 - 18:00
Zgjedhjet e reja, ky është problemi me të cilin PDK-ja po përballet

Zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës kanë qëndrime të ndryshme sa i përket shkuarjes në zgjedhje të reja të parakohshme, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit. Derisa Kadri Veseli nga dega e Prishtinës jep sinjale se janë të gatshëm për të hyrë në zgjedhje të reja, Xhavit Halitit duket se një ide e tillë për t’iu drejtuar para kohe kutive të votimit nuk i pëlqen, pasi sipas tij nuk prodhohet ndonjë zgjidhje.

Por duket se ky mos-unifikim në qëndrime vjen si pasojë e një problemi të brendshëm që e ka gjetur PDK’në, tashmë kur zgjedhjet e reja janë në prag e kur partitë tjera po bëjnë kalkulime për koalicione të mundshme e madje po i përmendin edhe kandidatët e tyre për kryeministër.

PDK’ja ende nuk e ka konstituuar Kryesinë e re, edhe përkundër faktit se kanë kaluar gati dy muaj që nga rizgjedhja e Kadri Veselit në krye të partisë.

Këtë e ka treguar në një bisedë, Hajredin Kuçi, i cili thotë se është në përgjegjësinë e kryetarit të Partisë se kur konstituohet kryesia e re.

“Besoj se kryetar e vlerëson kohën e konstituimit të kryesisë së re”, ka thënë Kuçi.

Për të njëjtën çështje, Express i ka dërguar pyetje edhe shefit të Grupit Parlamentar të PDK’së, Memli Krasniqit, por ai nuk ka dhënë ndonjë përgjigje.

Ndryshe nga Krasniqi, përgjigje ka pasur kryetari i Degës së PDK’së në Pejë, Xhavit Hailiti.

Ai thotë se për vonesën e konstituimit të Kryesisë së re të PDK’së duhet pyetur Kadri Veselin.

“ Vetne kryetarin… Se kemi problem me e konstitu, por ka mbete pune procedurash. Veç çështje procedurash”, ka thënë shkurt Haliti. 

Ndërkohë edhe në faqen zyrtare të partisë së Veselit, gjenden ende emrat e kryesisë së vjetër. Aty ndodhet edhe emri i Arsim Bajramit, i cili më 16 qershor ka njoftuar se është larguar nga strukturat udhëheqëse të partisë.

Por çfarë ka ndodhur në PDK pas Konventës së 16 qershorit dhe a ka shkaktuar përçarje brenda partisë, nisma e Kadri Veselit për të larguar nga partia të gjithë zyrtarët që kanë një aktakuzë të konfirmuar.

Tri ditë pas zgjedhje në krye të partisë, Kadri Veseli, nga selia e PDK’së ka bërë publike nismën e tij për të pastruar partinë nga zyrtarët që kanë probleme me ligjin.

Derisa Besim Beqaj u largua nga posti i ministrit pa bërë shumë zhurmë, një nga figurat më të rëndësishme të PDK’së, Sami Lushtaku, nuk e kishte mirëpritur një iniciativë të tillë.

Ai pati deklaruar që ‘s’ka bir nane që e largon nga partia’, përveç rastit kur e merr vet një vendim të tillë.

Më pa ai ishte treguar edhe më i ashpër. Lushtaku kishte thënë se brenda PDK’së janë 4 apo 5 persona që kontrollojnë gjithçka në Kosovë, duke përfshirë mediat e bizneset, dhe se janë pikërisht ata që duhet larguar nga partia.

“Nga partia duhet të largohen e të përjashtohen me turpin më të madh 4-5 persona, të cilët e kanë bllokuar Kosovën e PDK-në dhe të cilët kontrollojnë çdo gjë në Kosovë, drejtësinë, biznesin, mediat dhe sferat tjera vitale të vendit tonë, gjë që për veprimtaritë e tyre të pista dhe rrjetet që kanë ndërtuar janë të mirë informuar edhe miqtë tanë ndërkombëtarë”, kishte shkruar Lushtaku në profilin e tij zyrtar.

Tashmë mbetet të shihet se kur do t’i zgjedh PDK’ja anëtarët e ri të kryesisë, pasi që tashmë presidenti Hashim Thaçi ka lëvizur dhe nga java e ardhshme do të fillojë konsultimet me partitë politike për të caktuar datën e re të zgjedhjeve të parakohshme.

Pa struktura të reja është edhe LDK’ja e Isa Mustafës, e cila do të zgjedh kryetarin e ri më 3 gusht.

Image

(Kosova Sot Online)