Numërohen arsyet: Ja pse duhet të pezullohen pagat për kabinetin e Haradinajt

  • 27 July 2019 - 13:36
Numërohen arsyet: Ja pse duhet të pezullohen pagat për kabinetin e Haradinajt

“Definitivisht duhet të ketë një prerje urgjente të pagave të stafit politik të gjithë kësaj përbërje të qeverisë aktuale në dorëheqje sepse kjo është qeveria më e madhe që do të mbetet në histori për numër të ministrave, të zëvendësministrave që rrinë kot, e të stafit të emëruar politik. Ky lloj kompozimi i qeverisjes ishte zhvatja kryesore e buxhetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj, dhe ata medoemos përveç që duhet të shkojnë në shtëpi sa më shpejtë, duhet të ju ndërpriten pagat e tyre dhe me këtë veprim të vërtetohet akti shkarkimit”, tha Hertica për “Kosova Sot Online”.

Analisti politik, Mr. Ali Hertica thotë se anëtarët e kabinetit të qeverisë Haradinaj, të zgjedhurit dhe të emëruarit politik të koalicionit PAN, nuk duhet të vazhdojnë të paguhen më tutje, pas dorëheqjes së kryeministrit dhe de fakto rënies së qeverisë që e ka drejtuar ai deri më tani.

Arsye pse duhet të ndalohen pagat e këtij stafi, sipas analistit Hërtica është se tani në qeverinë pasive vazhdojnë të jenë një numër enorm i ministrave që kanë edhe stafin përcjellës politik, një praktikë që nuk ka qenë e zbatuar në asnjë nga qeveritë e deritanishme të Kosovës për 18 vitet e kaluara.

Image
Ali Hertica

“Definitivisht duhet të ketë një prerje urgjente të pagave të stafit politik të gjithë kësaj përbërje të qeverisë aktuale në dorëheqje sepse kjo është qeveria më e madhe që do të mbetet në histori për numër të ministrave, të zëvendësministrave që rrinë kot, e të stafit të emëruar politik. Ky lloj kompozimi i qeverisjes ishte zhvatja kryesore e buxhetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj, dhe ata medoemos përveç që duhet të shkojnë në shtëpi sa më shpejtë, duhet të ju ndërpriten pagat e tyre dhe me këtë veprim të vërtetohet akti shkarkimit”, tha Hertica për Kosova Sot Online”.

Me këtë veprim, sipas Herticës, partnerët e qeverisë së re që do të delë nga zgjedhjet, do të merrnin një mësim më të mirë dhe do të ishin më racional në formimin e kabinetit të ri qeveritar, i cili nuk do të duhet të ishte për asnjë ministri më i gjerë se gjysma e këtij të tanishmit në dorëheqje.

“Le të marrin mësim të mirë partitë politike që do ta fitojnë mandatin për formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve të shtatorit. Qeveria e re e Kosovës nuk duhet assesi t’i ketë më shumë se 10 ministri, duhet të ketë kufizim edhe tek zëvendësministrat. Jo më shumë se një zëvendësministër, eventualisht mundë të ketë dy zëvendësministra për ministritë më të ngarkuara që mundë të kenë specifika të veçanta sepse me këtë model të mbrapsht të qeverisjes që ka zhvatur buxhetin qytetarët e Kosovës nuk përfituan asgjë përveç një qeverisje të dobët. Ishte dhe do të mbetet në histori si një qeveri e mega skandaleve dhe e korrupsionit e cila hiq më pak se shtatë ministra i ka nën aktakuzë”, shtoi Hertica për “Kosova Sot Online”.

Sipas Herticës, ka dyshime të bazuara që gjatë kësaj qeverisje, ka pasur zhvatje të mëdha të buxhetit përmes formave të ndryshme, për tu pasuruar kundërligjshëm të emëruarit e të zgjedhurit politikë.

“Prandaj ndërprerja e pagesës së të ardhurave pas përfundimit të mandati, nuk do të përbënte asnjë shkelje apo cenim të të drejtave të tyre. Po e them këtë duke u bazuar në të gjitha vlerësimet që i janë bërë kësaj qeverisje. Ishte njëfarë stil menaxhues i shthurur, i pakujdesshëm i parasë publike me të cilën dyshohet se u pasuruan brenda natës shumë nga qeveritarët e tanishëm. Me të njëjtin stil janë shpërndare dhe ata 53 milionë euro problematik e të dyshimtë në favor të kompanisë Bechtel Enka dhe me të njëjtin stil janë shpërndare dhe gjithë rezerva buxhetore e Kosovës në dy muajt e parë”, përfundoi Ali Hertica për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)