A do t’i shkojnë partnerët e PAN’it Haradinajt për ta diskutuar “ngrohjen globale”

  • 29 July 2019 - 12:29
A do t’i shkojnë partnerët e PAN’it Haradinajt për ta diskutuar “ngrohjen globale”

Pavarësisht dorëheqjes së parevokueshme nga posti i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj të hënën ka thirrur konferencë për media. Aty ka njoftuar se si kryetar në largim i Qeverisë i ka dërguar pyetje Gjykatës Kushtetuese rreth interpretimit të aktit të dorëheqjes. Ndërkohë që ka njoftuar se nesër i ka ftuar në takim anëtarët e koalicionit përfshirë këtu edhe kryetarin Kadri Veseli. Pyetur se çka do të flasin gjatë takimit Haradinaj ka ironizuar duke thënë se me Veselin do të flasin për ‘Ngrohjen globale’.

Haradinaj edhe një herë para mediave e ka arsyetuar vendimin e tij për dorëheqje duke thënë se ky vendim ka mundur që mos t’i pëlqej atyre që janë në pushtet duke thënë se dorëheqjen nga posti i kryeministrit e dha për ta ruajtur shtetin.

Kryeministri në largim ka folur edhe për zërat se ai dha dorëheqje për shkak të kalkulimeve politike.

“Nuk e di se si mund të quhet kalkulim politik, mi ra vetës, nuk e di se si mund të quhet kalkulim politik. Nuk i kuptoj shumicën e atyre që gjykojnë kështu. Unë e di qe është prish komoditeti i atyre që kanë qenë në pushtet. Por çka me ba unë a me e rujte pushtetin  a shtetin. Unë e kam ftuar për nesër kryetarin Veseli, por edhe anëtarët e tjerë t koalicionit për nesër”, ka deklaruar kryeministri në largim, Ramush Haradinaj.

Pyetur se për çka do të bisedojnë në takim, Haradinaj ka ironizuar duke thënë për “ngrohjen globale”.

Ndërkohë, Haradinaj ka folur edhe për kërkesën e tij për presidentin Thaçi për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

“Unë kam kërkuar nga Presidenti, partitë politike që të shpallen zgjedhjet në afatin e duhur kohor, të mos i vonojmë zgjedhjet. Partie ime e përkrah shpërbërjen. Por kjo nuk bëhet për të ndërhyrë në afatet kohore për zgjedhje. Kushtetua jon nuk e ka precizu se çka ndodhë kur kryeministri jep dorëheqje. Duhet të ketë një kuadër ligjor që e rregullon se si vazhdon qeverisja pastaj”, ka deklaruar Haradinaj.

Ai ka thënë se ka kërkuar nga grupi i tij paralmentar pra nga AAK që të nisë konsultat me partitë e tjera politike të cilat po e përkrahin shpërbërjen e Kuvendit.

Tutje ka thënë se ende nuk kanë marrë ftesë për një takim rreth datës së zgjedhjeve nga presidenti Hashim Thaçi.

“Unë kam kërkua nga grupi jon parlamentar që t’i filloj konsultat me gp tjera paralemntare që me e përkrah shpërbërjen e Kuvendit. Ne ende nuk kemi marrë ftesë zyrtare nga Presidenti për takim. Si kryetar qeverie unë nuk kam interes që pas dorëheqjes të vijë në zyrë të Qeverisë, as që është më fllad, por që duhet qartësuar nga Kushtetuesja.”, thotë Haradinaj.

Ndryshe, që prej shpalljes së pavarësisë së saj, më 2008, Kosova nuk ka pasur një Qeveri të qëndrueshme e cila e ka çuar deri në fund mandatin kushtetues prej katër vjetësh.

Në vazhdimësi, qeveritë e Kosovës, të përbëra nga koalicione partiake, kanë hyrë në mocione mosbesimi dhe janë detyruar të dorëhiqen, duke e futur Kosovën në cikle të parakohshme zgjedhore.

(Kosova Sot Online)