Frika e madhe e PDK-së nga zgjedhjet, ja loja e saj në prapaskenë

  • 01 August 2019 - 08:06
Frika e madhe e PDK-së nga zgjedhjet, ja loja e saj në prapaskenë

“Qëllimi i PDK-së është që vendi të futet në krizë të thellë institucionale, në mënyrë që të ndërhyjnë ndërkombëtarët për zgjidhjen e "lëmshit" me ndonjë kryeministër "kukull", tha Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Edhe pse deklarativisht zyrtarët e PDK-së janë për zgjedhje të parakohshme pas dorëheqjes së kryeministrit Haradinaj, ata në prapaskenë, por edhe me disa deklarime kontraverse publike, po tregojnë se ata nuk i duan dhe nuk janë aspak të përgatitur për këtë proces të ri zgjedhor, ngase humbjen e kanë të garantuar.

Image

Madje së fundi, sipas analistëve politik, Faik Krasniqi, zyrtarët e PDK-së dhe Hashim Thaçi po e përdorin edhe kartën e liberalizimit të vizave, që është një mashtrim dekade, për të eliminuar kërkesën e partive politike në opozitë dhe të kryeministrit në dorëheqje Haradinajt, për zgjedhje të jashtëzakonshme.

Këtë e tha se fundi ministrja për integrime Dhurata Hoxha se “nëse hyjmë në zgjedhje të jashtëzakonshme, zvarritet procesi i liberalizimit të vizave”.

Kundër kësaj deklarate reaguan menjëherë subjektet politike opozitare, kurse analisti politik, Faik Krasniqi thotë se ky lloj arsyetimi dëshmon se zyrtarët e PDK-së i kanë ethet e humbjes së pushtetit, prandaj akoma nuk janë në gjendje të pajtohen me këtë humbje të rëndë që po ju troketë për shkak të abuzimit shumë vjeçar me pushtetin.

“PDK-ja do të bëj çmos që mos të shkohet në zgjedhje, sepse e dinë se çfarë e gjen. Do të gjejnë me qindra arsye vetëm e vetëm që t'i shmangin zgjedhjet. Edhe tallja me liberalizim është njëra nga këto arsye”, tha Faik Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Jo vetëm kaq, por sipas Faik Krasniqit PDK do të mundohet ta përdorë edhe elementin votë në Kuvend, për të mos lejuar shpërndarjen e Kuvendit dhe për të gjetur një solucion tjetër të vazhdimit të qeverisjes.

“Por dihet se nuk do të jetë edhe e lehtë që të shkohet në zgjedhje. Për të shkuar në zgjedhje duhet të shpërndahet Parlamenti. E për t'u shpërndarë Parlamenti duhen 81 vota. Minoritetet janë me PDK-në prandaj do të bëhet një çështje shumë e komplikuar”, tha analisti Faik Krasniqi për “Kosova sot Online”.

Sipas Krasniqit, PDK është në gjendje që të inskenon një krizë politike dhe institucionale, për t’i detyruar ndërkombëtarët që të ndërhyjnë për të mos shkuar në zgjedhje të reja, prandaj edhe po përmend arsye të ndryshme pse nuk janë zgjedhjet e tanishme zgjidhje për krizën.

“Qëllimi i PDK-së është që vendi të futet në krizë të thellë institucionale, në mënyrë që të ndërhyjnë ndërkombëtarët për zgjidhjen e "lëmshit" me ndonjë kryeministër "kukull", tha Faik Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)