Magjistari nga Prapashtica – Isa Mustafa për herë të tretë Kryetar i LDK’së

  • 03 August 2019 - 11:53
Magjistari nga Prapashtica – Isa Mustafa për herë të tretë Kryetar i LDK’së

Jo me ndonjë vizion shumë të qartë, e as më ndonjë lidership impresiv – për më tepër me një koalicion me PDK’në si hipotekë, Isa Mustafa si një magjistar ia ka dalë ta bindë Kryesinë dhe 355 delegatët e LDK’së se ai duhet të jetë në krye të partisë. Mustafa ka shkuar në gjendje të rëndë shëndetësore në hotelin ku u mbajt Kuvendi i IX Zgjedhor; më një kanellë në qafë dhe me një patericë për t’i treguar subjektit që e ka në dorë tash e 9 vjet se nuk kanë alternativë tjetër, pos tij. Mustafa, vërtet mund të cilësohet si Magjistar Politik.

Që nga fillimi i vitit të kaluar Isa Mustafës nuk i ka ecur mirë më shëndetin.

Kreu i LDK’së ishte i dërmuar nga një qeverisje me PDK’në, marrëveshja me të cilën e obligonte ta bënte Hashim Thaçin President të vendit, ndërsa përballej me një opozitë të fortë të Ramush Haradinajt e Albin Kurtit.

Pak muaj pasi ishte rrëzuar nga karriga e Kryeministrit, Mustafa ishte goditur edhe nga një grip që ia shtangoi muskujt. Kreu i LDK’së u detyrua për muaj të të tërë të qëndronte në Gjermani për shërim, por me ta marrë vetën gjente kohë për të bërë politikë – kryesisht në rrjetet sociale. Pak nga pak ai nisi të aktivizohet duke pritur vizitorë të ndryshëm në shtëpi e më vonë edhe të dalë në selinë e partisë si dhe të japë intervista në media.

Por Isa Mustafa i ndezi motorët javën e kaluar pasi Fatmir Sejdiu shpalli në një intervistë për media  se do ta sfidojë përsëri rivalin e vjetër nga i cili tash i ka dy humbje. Pa kaluar disa orë nëpërmjet djalit të tij, Besnikut tha se “jemi të gatshëm për sfida të radhës”. Dhe ky postim bëri me dije se Mustafa i ka futur të gjitha kartat në lojë për garë. Pastaj Mustafa gjatë 7 ditëve të fundit ka arritur ta bindë Kryesinë e LDK’së dhe t’ua ulë turrin pretendentëve Agim Veliut e Lutfi Hazirit që kishin paralajmëruar se do të kandidonin për shef partie.

Madje, Mustafa bëri edhe një hap taktik duke e pritur në zyrë Fatmir Sejdiun duke e amortizuar në këtë mënyrë edhe kandidaturën e tij. Por e shtuna ka zbardhur gjithçka. Sikur në vitin 2014 ai e ka eliminuar Fatmir Sejdiun duke u rizgjedhur me aklamacion dhe me unanimitet në krye të partisë.

Në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme Isa Mustafa do t’i ketë duart e lira për ta treguar edhe një herë fuqinë e tij kur LDK ta “punojë” listën e deputetëve dhe kur ta nominojë kandidatin për Kryeministër. Kjo situatë do të shpërfaq edhe marrëveshjet që Mustafa mund t’i ketë bërë me bashkëpartiakët.

Mbetet të shihet nëse do të mbahet deri në fund ujdia e arritur mes figurave të rëndësishme të LDK’së që Isa Mustafa të jetë Kryetar i partisë në shkëmbim që ata do të marrin pozita të rëndësishme në Kryesi nesër apo në garën për zgjedhjet parlamentare.

Deri më sot, Isa Mustafa ka pasur nevojë për mbështetje. Tash, të gjithë ata që e mbështeten kanë nevojë për Isa Mustafën.

(Kosova Sot Online)