Përplasja me armë zjarri në Elbasan, arrestohet njëri nga autorët

  • 04 August 2019 - 13:48
Përplasja me armë zjarri në Elbasan, arrestohet njëri nga autorët

Është arrestuar një prej autorëve të dyshuar të plagosjes së ndodhur në datën 2 gusht në Elbasan.

 Në prangat e policisë ka rënë 34-vjeçari Ilirjan Bezhani, ndërsa vijon të jetë në kërkim Genti Faqja, i cili rezulton i dënuar më parë për vrasje.

Ngjarja ndodhi pak ditë më parë në një lokal pranë Pallatit të Sporteve në qytetin e Elbasanit, ku të plagosurit dhe autorët ishin ulur në të njëjtën tavolinë. Mësohet se fillimisht ata kanë debatuar dhe më pas janë përplasur fizikisht me njëri-tjetrin.

Pas përleshjes fizike, njëri prej tyre ka shkuar në shtëpi ku ka marrë një armë zjarri kallashnikov dhe është kthyer sërish në lokal dhe ka qëlluar ndaj tre personave duke i lënë të plagosur rëndë.

Sipas informacioneve, të plagosurit kanë lidhje fisnore me njëri-tjetrin dhe sipas policisë janë jashtë rrezikut për jetën në spital.

(Kosova Sot Online)