Koci: Gjykata Speciale po menaxhon në mënyrë të çuditshme

  • 04 August 2019 - 14:53
Koci: Gjykata Speciale po menaxhon në mënyrë të çuditshme

Shumë ish-ushtarë të UÇK’së tashmë kanë marë ftesa nga ana e zyrtarëve të Gjykatës Speciale për t’u intervistuar nga ky institucion në Hagë. E fundit që mori ftesë ishte Time Kadrijaja, deputete nga radhët e AAK’së e cila gjatë kohës së luftës ka ushtruar profesionin e mjekës.

Ndonëse ende nuk e di cilësinë në të cilën është ftuar që të dëshmojë, deputetja Kadrijaj thotë se nuk ka vendosur nëse do të qëndrojë në heshtje apo do të përgjigjet në pyetjet e Prokurorit të Specializuar.

Avokati Arianit Koci, i cili është i akredituar për të përfaqësuar raste pranë Gjykatës Speciale, thotë se ky institucion është treguar i ngathët, pasi janë bërë gati tetë vite prej se fillimisht kishin nisur hetimet.

Koci thotë se Gjykata Speciale është duke menaxhuar në mënyrë të çuditshme edhe procesin e intervistimit të të dyshuarave dhe dëshmitarëve.

“Flitet, ka indikacione që është në fazën e fundit, hetimi i këtyre ditëve edhe pse nuk mundet të garantohet asgjë për shkak se tani e kemi një hetim të pazakontë që 7-8 vite të gjatë, kështu që nuk mundet askush saktësisht të parashikoj se kur do të përfundojnë hetimet dhe në çfarë forme do të ngiten aktakuzat eventuale. Sidoqoftë nëse vazhdon kështu me këtë ngathtësi Gjykata Speciale, e ashtuquajtura, unë do të jem i zëshëm që vitin tjetër mandati të mos i vazhdohet. Mbi të gjitha për të njëjtat çështje i ka trajtuar Tribunali i Hagës, Gjykata e UNMIK-ut si gjykatë ndërkombëtare, Gjykata e EULEX-it dhe gjykatat vendore”, tha Koci.

Në anën tjetër, Veteranët e luftës së UÇK-së, presin që të ketë numër më të madh të ish-pjesëtareve që do të ftohen nga specialja.

(Kosova Sot Online)