E zbulon profesori i njohur: Ja pse Thaçi i frikësohet qeverisë së re, ‘tronditet’ PDK-ja

  • 05 August 2019 - 07:37
E zbulon profesori i njohur: Ja pse Thaçi i frikësohet qeverisë së re, ‘tronditet’ PDK-ja

“Thaçit i konvenon një qeveri e re pa zgjedhje të reja, por në këtë konstalacion të forcave që i ka parlamenti. Kjo për faktin se ka mundësi shumë të lehtë manovrimi. E nëse shkohet në zgjedhje çdo diskutim me palën serbe ndërpritet”, tha Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi, duke parë fundin e lojës së Hashim Thaçit në përpjekjen e tij për të mbajtur gjallë qeverinë edhe pas dorëheqjes së Haradinajt, duke mos e përfillë kërkesën e drejtpërdrejtë që të shpallen zgjedhjet menjëherë pas dorëheqjes, thotë se përveç kalkulimeve për pazare me Serbinë, kjo vjen edhe si pasojë e konfliktit të madh brenda partiak në PDK, konflikt i cili zhvillohet për ta mbajtur apo marr nën kontroll PDK-në e ndarë në dysh, mes Kadri Veselit dhe Hashim Thaçit.

Image

“Kur shtrohet pyetja pse Thaçi po vonon në shpalljen e zgjedhjeve përgjigja e parë dhe e saktë del se në kuadër të PDK-së ka një konflikt të madh. Ky konflikt po zhvillohet midis Thaçit dhe Veselit si dhe njerëzve të tyre në kryesi dhe në strukturat tjera të partisë. Edhe pse janë në kundërthënie të thella, ata të dy po përpiqen mos me u dukur në publik se vërtetë janë në konflikt. Ata shpesh dalin bashkë, shihen nëpër takime edhe duke qeshur, kryesisht për të mashtruar opinionin duke dhënë mendim pozitiv”, tha Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, dhënia e mundësisë të mandatarit të ri, është një çështje kushtetuese të cilën tani Thaçi e ka përdorë vetëm për interesin e tij personal, jo pse e vërtetë ka kërkuar rrugë për zgjidhje të mundshme.

“Thaçi nuk ka rruge tjetër sepse pa e shfrytëzuar deri në fund normat kushtetuese, ai nuk mundë ti shpalli zgjedhjet dhe kjo po i shkon për shtati në rrugën e tij. Vetëm pas shfrytëzimit dhe të kalimit të kohës sipas nenit 95, para.5 të Kushtetutës, Thaçi i shpall zgjedhjet. Por, këtë mund të shkurton si procedurë edhe vetë Kadriu duke i cili duhet ta fton seancën e Kuvendit dhe të votohet për shpërndarje të Kuvendit. Ky akt ia heqë automatikisht të drejtën Thaçit për të manovruar në bazë të normave kushtetuese dhe është i detyruar me shkua në zgjedhje”, shtoi Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

E sipas Kelmendit, zvarritja procedurave të bazuara në Kushtetutë nga Hashim Thaçi, qëllimin e kanë për të mos e shpërbërë Kuvendin dhe për të mos e humbur qeverinë, por për ta riformatuar atë.

“Sepse me shkuarjen në zgjedhje dhe formimin e qeverisë së re rrezikohet seriozisht plani i tijë dhe agjenda e bisedimeve me Serbinë, sipas opsionit të krijimit të kufijve. Thaçit i konvenon një qeveri e re pa zgjedhje të reja, por në këtë konstalacion të forcave që i ka parlamenti. Kjo për faktin se ka mundësi shumë të lehtë manovrimi. E nëse shkohet në zgjedhje çdo diskutim me palën serbe ndërpritet. Këtu ka frikën tani Hashim Thaçi se kush do të vjen në pushtet. E tërë kjo e kushtëzon edhe pozitën e tij dhe kuptohet edhe të planit Thaci-Vucic për Kosovën, sepse mundë të zhvillohen procedurat për shkarkim dhe me këtë jo vetëm që dobësohet Thaçi por edhe përjetësisht defaktorizohet dhe vdes politikisht”, thekso Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Ky shkarkim, sipas Kelmendit edhe duhet të ndodhë, nëse ndërtohet një koalicion serioz për shtetit.

“Nuk ka diskutime dhe natyrisht se duhet dhe mund të shkarkohet nga pozita e Presidentit. Është koha kur Thaçit nuk i intereson më uniteti politik si president për të ruajtur Republikën. Këtë detyrë madje Thaçi kurrë nuk e ka kryer. Atij i intereson vetëm personi vetëm vetja, Hashim Thaçi kurse të gjithë të tjerët, sipas logjikës së tij duhet të jenë vegla të këtij personi”, theksoi Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)