Alarmi serioz për kryeministrin e ri: Ja “patatja” e nxehtë që ia djeg dorën

  • 06 August 2019 - 07:41
Alarmi serioz për kryeministrin e ri: Ja “patatja” e nxehtë që ia djeg dorën

“Postin e kryeministrit të vendit nuk duhet trajtuar si privilegj, por si një përgjegjësi historike, ngase targa e marrëveshjes historike me Serbinë do të jetë më e rëndë sesa ajo e Demarkacionit me Malin e Zi. Të bësh marrëveshje me Serbinë është më e vështirë sesa të ecësh në tehun e shpatës, për shkak se për asnjë çast nuk je i sigurt në cilën anë do të rrëshqasësh”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Presioni i madh ndërkombëtar që po iu bëhet partive politike për të përshpejtuar procesin e shkuarjes në zgjedhje dhe formimin e qeverisë së re të Kosovës, sipas analistëve politikë është i ndërlidhur drejtpërdrejtë me kërkesën që të vazhdohet pa vonesë e dialogu më Serbinë për arritjen e marrëveshjes për normalizim, njohje reciproke.

Image

Sipas analistit politik, Florim Zeqa, kjo temë do ta sfidon seriozisht qeverinë e re të Kosovës, pavarësisht se nga cilat parti politike do të rirreshtohet koalicioni qeverisës.

Analisti Zeqa shpreh shqetësimin e tij se marrëveshja e dizajnuar në parim në mes Thaçit e Vuqiqit, do të serohet përsëri në tavolinë të bisedimeve, pavarësisht se kush do të jetë në ekipin negociator dhe kush do iu prij këtyre bisedimeve.

“Qeverinë e re pas zgjedhore të Kosovës e presin sfida të mëdha e të panumërta. Pa dyshim, sfida e më e madhe dhe e papërballueshme do të jetë marrëveshja e imponuar në paket me Serbinë, e dizajnuar sipas marrëveshjeve paraprake Thaçi-Vuçiq në dialogun e Brukselit. Ngjashëm sikurse qeveria në largim e Haradinajt që ra në sfidën e parë të demarkacionit me Malin e Zi, edhe qeveria e re pas zgjedhore nuk do mund i përballojë gjatë "patates së nxehtë" të marrëveshjes me Serbinë, e kthyer së fundmi në projekt ndërkombëtar. Diplomacia ndërkombëtare është duke u përgatitur që ta sjellë Republikën e Kosovës, gjegjësisht qeverinë e re pas zgjedhore para aktit të kryer për të arritur marrëveshjen e imponuar në paket me Serbinë”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, zërat për bartjen e shpejtë të një marrëveshje me kompromise për njohjen e Kosovës nga Serbia, sapo vijnë e shtohen, prandaj edhe kjo temë mund të jetë ndër temat e para me të cilat duhet të ballafaqohet legjislatura e re, ngase bëhet fjalë për muajt e fundit të mandatit edhe për Hashim Thaçin në pozitën e kreut të shtetit.

“Njëri ndër ata zëra, është edhe ai diplomatit amerikan, Damon Vilson, nënkryetari ekzekutiv i Këshillit Atlantik, i cili e thotë hapur se është rasti historik që Serbia dhe Kosova të arrijnë një marrëveshje historike, duke potencuar se Serbia do ta njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës. Megjithatë ai thotë se një gjë e tillë nuk mund të ndodh pa një marrëveshje që i përshtatet gjithë Serbisë. Prandaj, bazuar në këto pohime të diplomatit amerikan, Damon Vilson, paraprakisht ambicieve dhe dëshirave, pretendentët e marrjes së pushtetit në Kosovë, duhet të llogaritin në sfidën e parë të madhe që i pret”, shtoi Zeqa për ”Kosova Sot Online”.

Andaj, sipas analistit Zeqa, në këto rrethana të vështira e të paqarta politike me të cilat do të përballet Kosova, do të jetë sfidë serioze marrja e pozitës së kryeministrit nga kushdo që pretendon ta mësyj këtë post.

“Postin e kryeministrit të vendit nuk duhet trajtuar si privilegj, por si një përgjegjësi historike, ngase targa e marrëveshjes historike me Serbinë do të jetë më e rëndë sesa ajo e Demarkacionit me Malin e Zi. Të bësh marrëveshje me Serbinë është më e vështirë sesa të ecësh në tehun e shpatës, për shkak se për asnjë çast nuk je i sigurt në cilën anë do të rrëshqasësh”, përfundoi analisti politik, Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)