Analisti nga SHBA paralajmëron skenarin: Kështu do të veprojë Isa Mustafa dhe....

  • 07 August 2019 - 07:41
Analisti nga SHBA paralajmëron skenarin: Kështu do të veprojë Isa Mustafa dhe....

“Kjo deklaratë, në këto rrethana parazgjedhore, nuk mund të cilësohet, as si e qëndrueshme e as e besueshme, ngase shprehje të tilla refuzuese ndaj PDK-së, janë dëgjuar gjithmonë nga LDK-ja, për të përfunduar më pas, gjithmonë nën krahët e SHIK-ut”, tha Bojaj për “Kosova Sot Online”.

Analisti politik Ramiz Bojaj, që jeton dhe vepron në SHBA, duke parë synimin e shumicës së partive politike kosovare, që para zgjedhjeve të kësaj vjeshte të grupohen në tri blloqe të partive politike, thotë se ky është një nga treguesit më besnik që flet se sa shumë ka humbur besimi i këtyre partive tek votuesi.

Image

Prandaj, sipas Bojajt edhe tani po provojnë që ta gjejnë një rrugë të re për ta tejkaluar këtë pasiguri të tyre për tu përballur me votën e lirë qytetare.

Ndryshe analisti Bojaj thotë se e assesi këto rirreshtime në grupe nuk bëhen për shkak tjetër, të ndonjë parimi a vendosmërie për ndryshime rrënjësore politikëbërëse.

“Në historikun e politikë bërjes në Kosovë, partitë politike janë pozicionuar në ato mënyra të cilat, kanë premtuar ndryshime e nuk e kanë bërë, kanë premtuar luftë kundër krimit e kriminelëve, por më pas janë bashkuar në kriminalizimin e shtetit, kanë premtuar zhvillim ekonomik e vende të lira pune, por e kanë ngritur militantizmin partiak dhe kanë shtuar hajdutërinë e tyre të paskrupullt, duke shkatërruar gjithçka që u erdhi përdorësh.

Pra, partitë politike në mënyrë të paskrupullt kanë keqpërdorur votën qytetare, vullnetin e tyre politik për një jetë më të mirë, për të favorizuar grupet e egra të interesit, të klaneve e klientelave të tyre oligarke, për të bashkëpunuar në kapjen dhe zhvatjen e shtetit deri në themel. Janë këto parti dhe këto grupe politike të cilat e kanë shkatërruar ekonominë e Kosovës, i kanë zhvatur deri në falimentim korporatat makroekonomike, pastaj kanë shkatërruar sistemin e drejtësisë dhe gjithçka qe u ka ardhur përdorësh, pa as më të voglën përgjegjësi për shtetin e popullin”, tha analisti Bojaj për “Kosova Sot Online”.

Sipas Bojajt, edhe zbrazja masive e qytetarëve të Kosovës, pastaj zvogëlimi i vazhdueshëm territorial, deri në deregjen e copëtimit e të ekzistencës, e kanë emrin PDK, LDK, AAK dhe këto copat e dala nga këto parti.

“Prandaj i frikësohen ndëshkimit nga votuesi si të ndara e duan tani të bashkohen në grup. Andaj pozicionimi i partive politike në blloqe siç është iniciativa e AAK-së me NISMA-AKR-PSD, pastaj e LDK-së me VV-në, etj... janë nisma të cilat nuk kanë ndonjë bazë të shëndoshë, ngase me pak joshje, blloqet mund të thyhen në momentet e fundit, siç kishte ndodhur edhe në të kaluarën”, tha Ramiz Bojaj për “Kosova Sot Online”.

Në krejt këtë lloj skenari, sipas tij vlen të shpresohet për një testim të fundit vetëm edhe koalicioni eventual mes LDK-së dhe VV-së, ngase janë dy subjekte politike për të cilat më së paku mund të gjesh afera korruptive dhe veprime zhvatëse në masë sikurse të PDK dhe të tjerët.

“Gjithsesi, një dritë në fund të tunelit mund të shihet në afrimin e LDK-së me VV-në, të cilat në bashkëpunim të ngushtë, mund ta thyejnë rutinën e ndarjes së interesave klienteliste për të ndërtuar një strukturë me segmente më të përgjegjshme për qeverisjen e re, e cila mund të vjen pas zgjedhjeve të reja. Unë mendoj se LDK-ja ka edhe një shans të fundit që të përmirësojë imazhin e vet të degraduar në bashkëqeverisje me SHIK-un, e cila duke i shërbyer PDK-së është bërë pjesëmarrëse historike në dëmet e mëdha që i janë bërë Kosovës, si në marrëveshjet me Serbinë me rastin e Çakorrit, ortakërinë në kapjen e zhvatjen e shtetit etj”, potencoi Bojaj për “Kosova Sot Online”.

Sidoqoftë, edhe Bojaj nuk e përjashton mundësinë që pikërisht Isa Mustafa me LDK-në, në momentin e fundit t’i kthehen traditës për koalicion me PDK-në, sikur kanë vepruar në të kaluarën, sado që kjo do të ishte tradhti e dyfishtë për elektoratin dhe gjithë qytetarët e vendit Kryetari i rizgjedhur i LDK-së, Isa Mustafa në paraqitjen e parë para medieve ka thënë se s’bëjnë koalicion me PDK-në.

“Kjo deklaratë, në këto rrethana parazgjedhore, nuk mund të cilësohet, as si e qëndrueshme e as e besueshme, ngase shprehje të tilla refuzuese ndaj PDK-së, janë dëgjuar gjithmonë nga LDK-ja, për të përfunduar më pas, gjithmonë nën krahët e SHIK-ut. Deklaratat nxitëse bëhen për vota, për t'i përkthyer ato në fuqi blerëse politike pa asnjë kriter, me qëllim të vetëm të kapjes së privilegjeve e të shpërndarjes së grupeve militante partiake nëpër resorë të ndryshëm të shtetit, thjeshtë për ta zhvatur sa më shumë buxhetin e paranë e djersën e popullit”, tha analisti Bojaj për “Kosova Sot Online”.

Bojaj thotë se sot më shumë se kurrë na duhen veprime konkrete, për ta rrënuar pushtetin e krimin për të rikthyer imazhin e vrarë të shtetit tonë, shpresën qytetare për një jetë më të mirë e më prosperuese sepse shteti i së drejtës është e vetmja shpresë për këtë ndryshim, e kjo mundë të arrihet vetëm duke izoluar të korruptuarit të të inkriminuarit në qeverisjet e deritanishme.

(Kosova Sot Online)