Analisti i njohur nga SHBA ‘godet’ rëndë Kosovën: Ja formula e ‘shpëtimit’ nga bandat

  • 13 August 2019 - 07:33
Analisti i njohur nga SHBA ‘godet’ rëndë Kosovën: Ja formula e ‘shpëtimit’ nga bandat

“Si dalje nga kjo derexhe e rëndë ku ka rënë Kosova, shpresë e vetme mbetet Vetingu. Ky model mbetet forma e vetme për të kthyer sundimin e ligjit në Kosovë. Ky Veting duhet të udhëhiqet nga ekspertë amerikanë, por mund të bashkohen edhe ekspertë nga Gjermania e Britania e madhe, vende këto të cilat kanë traditë të gjatë e të dëshmuar në sistemin e drejtësisë”, tha Bojaj për ”Kosova Sot Online”.

Analisti dhe publicisti Ramiz Bojaj, që jeton dhe vepron në SHBA, ka thënë për “Kosova Sot Online” se pa një ndryshim rrënjësor politik, nuk mund të kemi reforma në drejtësi, sado që ndërkombëtarët vazhdojnë të japin vërejtje për ndryshime në këtë sistem.

Image

Kjo sipas analistit Bojaj, për faktin se politika është faktori numër një i vrasjes së sistemit të drejtësisë, i kapjes dhe i diktimit të saj nga bandat oligarke, prandaj kërkohet Vetingu.

“Në një shtet ku drejtësia është nën kontrollin e politikës, ai shtet, fillimisht bëhet pronë e bandave të forta e më pas shkatërrohet e ndahet në sfera të interesit të mafiozëve, nacionalë e kontinentalë. Kapja e shtetit dhe zhvatja e të gjithë resorëve ekonomikë të vendit, tentohet të mbahen nën kontroll përgjithmonë nga bosët e krimit, të nëntokës, por edhe nga ata të veshur me petkun institucional”, tha Bojaj për “Kosova Sot Online”.

 

 

Sipas Ramiz Bojajt, pikërisht këta janë penguesit më të mëdhenj të reformave në drejtësi për faktin se nën pushtetin kriminal të mafio-oligarkëve, janë shpëlarë miliarda euro në emër të autostradave, në emër të privatizimit, tenderëve etj, pastaj janë fshehur e zhdukur dëshmi të akteve kriminale të vrasjeve politike, atentateve, eliminimit të dëshmitarëve etj.

Sipas Bojajt, të gjitha këto për të fshehur krimin e organizuar, gjë që e kanë hetuar edhe ndërkombëtarët, sikur që ishte reagimi i ambasadorit britanik.

“Së fundi edhe ambasadori britanik O`Connell ka përsëritur se 'nuk ka aspak besim për këtë sistem të drejtësisë, i cili ka pasur shumë dëshmi që ka qenë i kapur për interesat politike. Incizimet Pronto na kanë treguar për sistemin. Si mund të kesh besim në një sistem ku bijtë e bosëve të politikës, policisë, zyrtarëve të lartë shtetërorë etj, kapen çdo ditë me trafikim droge, duke thyer e vjedhur prona të qytetarëve, pastaj rrahin policinë e rëndomtë në krye të detyrës, kërcënojnë me vdekje prokurorët e pavarur etj. Pra, sistemi i drejtësisë është i kapur nga mafio-oligarkët dhe tashmë janë bërë ortakë në të gjitha aktivitetet mafioze e kriminale të pushtetarëve të inkriminuar”, tha Bojaj për “Kosova Sot Online”.

Sipas analistit Bojaj, vetëm një sistem i drejtësisë krejtësisht i pavarur, do t'i hetonte të gjithë krerët më të lartë të pushtetit aktual në Kosovë dhe gjithë aktivitetin e tyre politik, ekonomik e të nëntokës.

“Sepse dihet që me paratë e vjedhura në Kosovë, hajnat e mëdhenj të pushtetit, kanë blerë drejtësinë, të cilët e kanë mbushur këtë sistem me pionë servilë e llaskucë, pastaj kanë blerë edhe udhëheqës në UNMIK e në EULEX, për t'i fshehur gjurmët e krimit të tyre dhe me këtë gjendje Kosova është në rrezik të madh nga udhëheqësit mafiozë e kriminelë të rangut ndërkombëtar. Kosova vetëm pasi të jetë e çliruar nga këto banda oligarkësh mund të këndellët e të fillojë të funksionojë si shtet normal. Përndryshe, vendi ynë do të jetë arenë bandash mafioze oligarke por edhe terren trafikimi i drogës dhe mjeteve tjera të jashtëligjshme. Shteti ekziston për aq kohë sa ekziston edhe drejtësia. Në atë vend ku vritet drejtësia, dmth është vrarë shteti”, ka thënë Bojaj për “Kosova Sot Online”.

Në këtë kontekst, sipas Bojajt, duhen reforma të thella në këtë drejtim për të bërë distancim të plotë mes politikës e sistemit të drejtësisë, ngase këto dy segmente duhet të funksionojnë krejtësisht me pushtete të ndara dhe kjo arrihet vetëm përmes një Vetingu të thellë në drejtësi.

“Si dalje nga kjo derexhe e rëndë ku ka rënë Kosova, shpresë e vetme mbetet Vtingu. Ky model mbetet forma e vetme për të kthyer sundimin e ligjit në Kosovë. Ky Veting duhet të udhëhiqet nga ekspertë amerikanë, por mund të bashkohen edhe ekspertë nga Gjermania e Britania e madhe, vende këto të cilat kanë traditë të gjatë e të dëshmuar në sistemin e drejtësisë”, përfundoi analisti nga Amerika, Ramiz Bojaj për ”Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)