Veseli i çudit bashkëluftëtarët: S’kemi zgjidhje duhet ta mposhtim korrupsionin

  • 13 August 2019 - 15:02
Veseli i çudit bashkëluftëtarët: S’kemi zgjidhje duhet ta mposhtim korrupsionin

Kreu i PDK-së, Kadri Veseli ka vazhduar edhe sot në terren fushatën, ani pse zgjedhjet nuk janë caktuar ende. Sot ai është takuar me disa ish-ushtarë të UÇK-së, me të cilin ka folur se si do ta mposhtë korrupsionin dhe nepotizmin. Veseli si duket ka harruar se krejt këto vite kur Kosova është përballur me më së shumti kritika për këto dy çështje, partia e tij ka udhëhequr me pushtetin.

Përmes një shkrimi në Facebook, Veseli tha se ka takuar disa ish-ushtarë me të cilin kishte qenë në luftë.

“Takova sot një grup ish-ushtarësh të UÇK-së. Kishim shumë për çfarë të flisnim, kujtuam ditët e luftës kur të gjithë ishim më të rinj e më të pashëm. Mirëpo mbi të gjitha bashkëbiseduam për dhimbjen që kemi kur shohim se fëmijët po na largohen nga vendi për të cilin kemi luftuar. Ky është dështimi ynë, duhet ta pranojmë.

Ne luftuam me guxim 20 vjet më parë dhe fituam. Megjithatë sot na duhet të luftojmë për një vend të zhvilluar. Bashkëluftëtarët më thanë se nuk luftuan që disa njerëz të gëzojnë privilegje e përfitime që nuk i meritojnë. Ata luftuan në mënyrë që të krijonim një shtet të demokratik me një ekonomi të lirë e të ndershme, me mundësi të barabarta, vlera perëndimore dhe partneritet me aleatët tanë”, ka thënë kreu i PDK-së.

Në fund, ai nuk ka harruar që të vazhdojë fushatën kundër krimit dhe korrupsionit, që ka pak ditë që ka nisur, tash kur po përmenden zgjedhjet.

“Prandaj sot nuk kemi zgjidhje tjetër, duhet ta mposhtim korrupsionin dhe nepotizmin, ashtu siç kemi mposhtur armiqtë 20 vjet më parë. Nuk është një luftë e lehtë, ka shumë pengesa para nesh, por duhet ta fitojmë, së bashku, për veteranët, për të ardhmen e familjeve tona, për rininë, për Kosovën”, ka shkruar ai.

Kreu i PDK-së, si duket ka harruar se atij i ka dështuar edhe lufta e tij e brendshme kundër korrupsionit, që tentoi ta bënte me anëtarët e partisë së tij, duke i hequr ata anëtarë me aktakuza.

(Kosova Sot Online)