Veseli e Thaçi e përkujtojnë Hasan Prishtinën, tregojnë si e shkriu pasurinë për komb

  • 14 August 2019 - 10:50
Veseli e Thaçi e përkujtojnë Hasan Prishtinën, tregojnë si e shkriu pasurinë për komb

Në 86-vjetorin e vrasjes, liderët po e përkujtojnë njërën nga figurat e spikatura për pavarësi dhe bashkim kombëtar. Në postimet e tyre Veseli e Thaçi kanë lartësuar figurën e Prishtinës. kreu i PDK-së madje ka dhënë detaje se si Hasan Prishtina, që kishte pasuri të madhe, ka përfunduar me një pasuri modeste, gjë që është saktësisht e kundërta çka ndodh në skenën politike të Kosovës.

Hashim Thaçi e Kadri Veseli kanë vendosur ta përkujtojnë përmes Facebook-ut, Hasan Prishtinën.

Presidenti ka shkruar se Hasan Prishtina është vrarë para 86 vitesh pabesisht, derisa shkruan se ai mbetet referencë e lartë për vlerat tona kombëtare, politike dhe parlamentare.

“Para 86 vitesh u vra pabesisht Hasan Prishtina, një nga personalitetet më të ndritura të kombit shqiptar, ideologu i kryengritjeve të shumta popullore kundër sundimit otoman dhe ideator platformës politike që çoi drejt shpalljes së pavarësisë të një pjese të trojeve shqiptare më 1912. Figura monumentale e Hasan Prishtinës ka qenë dhe mbetet referencë e lartë për vlerat tona kombëtare, politike dhe parlamentare”, ka shkruar Thaçi.

Në anën tjetër, kreu i PDK-së, Kadri Veseli, ka shkruar gati se njësoj si ish-shefi i tij në parti.

Veseli tha se Hasan Prishtina e ka nisur karrierën politike si i pasur derisa e ka ngrysur jetën në kushte modeste, duke mos u kursyer për kauzën kombëtare.

“86 vjet më parë u vra Hasan Prishtina, njëri ndër ideologët kryesorë të pavarësimit dhe bashkimit kombëtar si dhe të çlirimit të Kosovës. Nuk ka etapë të ndritur të Rilindjes sonë Kombëtare ku ai nuk ka qenë protagonist. E nis karrierën politike si i pasur dhe e ngrysi jetën në kushte modeste, sepse nuk kurseu asgjë për kauzën kombëtare”, shkruan ai, duke theksuar se me fondet e tij ka blerë edhe armë për kryengritjen e vitit 1912.

“Me fonde të tij personale bleu armë për kryengritjen e vitit 1912, për të çuar të rinjtë kosovarë në shkollën Normale të Elbasanit e për të financuar shumë veprimtari të tjera patriotike. Prandaj ai është një model për t’u marrë shembull në kohët e sotshme si politikan idealist dhe i pakorruptuar”, përfundoi Veseli.

 

 

(Kosova Sot Online)