‘Një person me 8 vende pune në Kosovë’, profesori i njohur vjen me akuza të rënda

  • 15 August 2019 - 15:37
‘Një person me 8 vende pune në Kosovë’, profesori i njohur vjen me akuza të rënda

“Ka njerëz që punojnë 2 e deri me 5 vende të punës. Çka punohet në atë mënyrë kjo veç dihet. Marrin me nga 4 e 5-6 paga nga buxheti i shtetit. Dihet fare mirë që janë me mijëra veta që janë kështu në punë”, tha Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Profesori i njohur i së drejtës, Muhamet Kelmendi duke u bazuar në të dhënat më të freskëta të Agjencionit Kundër Korrupsion të Kosovës, e cila në raportin më të ri, thotë se njerëz me ndikim mbajnë shumë pozita të larta dhe ushtrojnë shumë vende punë, konsideron se ky kaos në fushen e punësimit po e shkatërron shpresën për një jetë më të mirë të qytetarëve në këtë vend, sepse dikush favorizohet e dikujt i shkelen të drejtat e punës skajshmërisht.

Kjo gjendje sipas tij është pasojë e mos përfilljes së Ligji të punës.

Image
Muhamet Kelmendi

“Punësimi dhe mbrojtja në punë, sikundër edhe pagesa e të punësuarve konformë punës, është një ndër çështjet kryesore që përcaktojnë shkallën e lirisë, të barazisë dhe të shtetit social. Kjo mungon në Kosove. Ne kemi papunësinë më të lartë në kontinent, ndërsa të punësuarit nëpër shumë sektor trajtohen jashtëzakonisht keq”, tha Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Sipas Kelmendit, dallimi është shumë i madh në mes të sektorit publik dhe privat, ngase tek ky i dyti, në të shumtën e rasteve nuk zbatohet akoma ligji si duhet, kurse tek sektori publik ka mbi punësime, por edhe favorizime të kundërligjshme. 

“Në shumicën e kompanive private punëtorët akoma nuk kanë sigurime në punë dhe punojnë me obligim detyrues të punëdhënëseve me nga 10 e 12 orë në ditë dhe atë 6 ditë në javë. Pra në sektorin privat gjendja është shumë e rëndë sepse të punësuarit po shfrytëzohen në mënyrë të egër. Ndërsa në sektorin publike kemi po ashtu mos zbatim të ligjit, pabarazi totale, kemi punësime me lidhje famjare dhe me pagesa të shumave të majme të parave sipas lidhjes apo mbështetjes që e ke mbrapa”, tha Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Sipas Kelmendit, shkelja e ligjit në sektorin publik dhe atë privat, po i bënë qytetarët të zhgënjehen deri në atë masë sa që të vetmen shpresë po e shohin me ikje jashtë vendit.

“Sektori i punës është një ndër shkaqet e ikjes së masave të gjera të qytetarëve nga Kosova. Fshatrat janë zbrazur në shumicë. Aty këtu kanë mbetur vetëm të moshuarit dhe shtëpitë e boshatisura dhe kjo tendencë e zbrazjes së shtetit është vazhdimisht në rritje sepse kudo ka vetëm çrregullime”, tha Kelemdni për “Kosova Sot Online”.

Sipas tij, dhënia e mundësisë për të mbajtur nga 7-8 vende të punës individëve të lidhjeve të ngushta të klientelave politike, po e shkatërron vendin, buxheti shkon për pagat e tyre për përfitime personale, kurse mundësitë për investime dhe zhvillim nuk janë askund.

“Ka njerëz që punojnë 2 e deri me 5 vende të punës. Çka punohet në atë mënyrë kjo veç dihet. Marrin me nga 4 e 5-6 paga nga buxheti i shtetit. Dihet fare mirë që janë me mijëra veta që janë kështu në punë. Madje ka shumë të tillë që përveç pozitave që ka në sektorin publik ushtrojnë punë të tjera edhe në sektorin privat dhe kjo ndodhë kështu vetëm pse në Kosovë nuk ka funksionim dhe zbatim të saktë të ligjit, e të mos flasim për mbikëqyrjen”.

Prandaj sipas Kelmendit, dështimi i shtetit dhe organeve të tij, më së miri pasqyrohet me mungesën e zbatimit dhe respektimit të ligjit, gjë që po ndodhë në Kosovën e pas luftës hiq më pak se për dy dekada.

“Organet kompetente janë në dështim total, duke filluar nga inspektimi në punë. Kemi dështime në luftimin i informalitetit nëpër firma. Mungesa e zbatimit të ligjit shkon deri atje së janë më mijëra subjekte që i ikin tatimit dhe e kanë nën kontroll të plotë edhe inspektoratin financiar. Të vjen turp të thuash se jam qytetar i Kosovës kur e sheh një zyrtar të shtetit i cili shitet edhe për vetëm disa euro, duke e shkelur ligjin”, përfundoi Muhamet Kelmendi për "Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)