Tomor Morina: Në Shutkë ishte tmerrësisht keq, e dija që nuk më ekstradojnë

  • 15 gusht 2019 - 19:04
Tomor Morina: Në Shutkë ishte tmerrësisht keq, e dija që nuk më ekstradojnë

Erdhi në Kosovë nga Londra për t’i kaluar disa ditë pushimi. Në vazhdën e pushimit, ish-pjesëtari i UÇK’së, Tomor Morina, vendosi që të shkojë në Shkup për ta marrë një mik të tijin në aeroport. Në Shkup, Morina kishte shkuar disa herë tjera.

Por këtë herë, ai u ndalua nga policët kufitar të Maqedonisë në pikën e Hanit të Elezit. Nga aty u dërgua në Shkup aty ku edhe u arrestua pas disa orëve.

Më shumë se dy javë, Morina qëndroi në Shkup, saktësisht në burgun e Shutkës. Për ekstradimin e tij, në baza ditore bëhej presion nga autoritetet serbe për t’u vendosur në njërin nga burgjet serbe, për tu gjykuar pastaj andej.

Por pavarësisht kërkesave, Maqedonia zyrtare e liroi Morinën të mërkurën e 15 gushtit.

Një ditë pas lirimit ai ka folur për media, ku ka rrëfyer në detaje rreth aktakuzës në bazë të së cilës ai u arrestua.

“Isha duke shku në Shkup me e marrë një shok në aeroport. Ndalohem në pikën kufitare në Bllacë. Edhe më futën brenda në kabinë. Më priten mirë. Prita një orë. Pastaj erdhën e më morën në e më çuan në Shkup në Gjykatë. Kërkesa për arrestimin tim ka qenë nga Serbia. Prokurori në gjykatë është bazu në aktakuzë. Ma ka konfirmu që jam i kërkuar nga autoritetet serbe”, tregon për momentin e arrestimit Tomor Morina.

Ai rrëfen se e gjithë aktakuza ishte përpiluar me gjëra të pavërteta. Në të, sipas Morinës, thuhej se ai ka vrarë njerëz e ka djegur shtëpi gjatë kohës sa i kishte shërbyer luftës së UÇK’së.

“Aktakuza ka qenë shumë qesharake. Demek që unë paskam vra njerëz shumë. Kam djeg shtëpi. Gjëra të cilat nuk qëndrojnë. Nuk ka pas emra aty të njerëzve kush është vra, në cilën kohë është vra, kush janë dëshmitarë. Këto kanë qenë shpifje të ish-kohës së Millosheviqit të cilat sot i zbaton Serbia. Aktakuza ka qenë pa asnjë bazë. Ka qenë aktakuzë politike”, tregon tutje ish-ushtari i UÇK’së.

Ai shpjegon edhe për trajtimin i cili i është bërë nga ana e autoriteteve maqedonase përgjatë 20 ditëve qëndrim në burg. Tregon se nuk ka besuar se do ta ekstradojnë për në Serbi.

“Autoritetet maqedonase më kanë trajtu korrekt. Kushtet e burgut kanë qenë tmerrësisht të këqija, katastrofike. Më kanë vizitu, përfaqësuesit e ambasadës britanike, Bashkimit Evropian. Unë e kam ditë, kam besu  që ekstradim nuk do të ketë”, thotë Morina.

Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Tomor Morina, i cili ka qenë ushtra i kryeministrit në largim, Ramush Haradinajt i ka falënderuar të gjithë ata që i kanë dalë në ndihmë përgjatë ditëve sa ka qëndruar në burgun e Shkupit.

“Unë i falenderoj të gjithë që janë përpjekur që të më ndihmojnë. Gjakovën e falënderoj për protesta. Unë i falënderoj nga zemra. Ashtu duhet me bo për të gjithë bashkëluftetarët tjerë. Moralisht duhet të përkrahen”, thotë Morina.

Por se kur do të kthehet në Angli, aty ku jeton dhe vepron, Morina ende nuk e di. Kjo me arsyen se pasaporta atij i është ndalë në Shkup për disa procedura të cilat thotë se nuk i di.

“Pasaportën e kam ende në Maqedoni. Ma kanë ndal atje. Po pres ta marrë këto ditë.  Të gjitha akuzat për mua kanë qenë politike. Veç me i barazu krimet që serbët i kanë kryer në Kosovë”, thotë në fund Morina.

 Ish -ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Tomor Morina, u arrestua më 24 korrik në pikën kufitare në Bllacë.

Ai u mbajt për më shumë se dy javë në Burgun e Shutkës, në bazë të një fletarresti të Interpolit të lëshuar nga Serbia.

Morina akuzohej se gjatë viteve 98-99-të kishte kryer krime lufte.

Serbia kishte kërkuar nga Maqedonia e Veriut të ekstradonte Tomor Morinën.

(Kosova Sot Online)