Zjarri lë pa kulm mbi kokë 10 mijë njerëz në Bangladesh

  • 18 gusht 2019 - 13:25
Zjarri lë pa kulm mbi kokë 10 mijë njerëz në Bangladesh

Së paku 10 mijë njerëz kanë mbetur të pastrehë pasi një zjarr masiv e përfshiu një lagje të dendur në kryeqytetin e Bangladeshit, Daka.

Zjarri nisi në lagjen Mirpur në orët e vona të së premtes dhe i përfshiu rreth dy mijë kasolle druri. Lajmin e bëri të ditur zyrtari i zjarrfikësve, Ershad Hossain.

“Nuk munda të shpëtoj asgjë. Nuk di çfarë do të bëj”, tha Abdul Hamid, një burrë 58 vjeç që merrej me kultivimin e çajit.

Autoritetet e vunë zjarrin nën kontroll pas disa orësh dhe asnjë person nuk ka vdekur si pasojë e kësaj fatkeqësie, ndonëse zjarrfikësit thanë se disa persona kanë pësuar lëndime të lehta. 

Për fat të mirë, shumë banorë të kësaj lagjeje, kryesisht me të ardhura të ulëta, nuk ndodheshin në kasollet e tyre në kohën kur shpërtheu zjarri pasi kishin dalë për të festuar me familjet e tyre për Kurban Bajram.

Rreth një mijë persona janë strehuar në kampet e përkohshme që janë ngritur pranë shkollave lokale.

Zjarret janë të shpeshta në Bangladesh. Së paku 100 njerëz kanë vdekur vetëm këtë vit për shkak të zjarreve në ndërtesa banimi, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online)