Vjen akuza e rëndë për Haradinajn: Kështu po i ndihmon Devollët

  • 19 August 2019 - 07:39
Vjen akuza e rëndë për Haradinajn: Kështu po i ndihmon Devollët

“Situata paradoksale po e dëshmon dhe vërteton faktin se edhe qeveria 'Haradinaj", sikurse qeveritë paraprake po e ndihmon vjedhjen kriminale të qytetarëve nga kompania e Blerim Devollit”, përfundoi për “Kosova Sot Online”, analisti politik, Florim Zeqa.

Edhe pse kishte kërkesa dhe kritika të ashpra nga ambasadat e huaja në Kosovë, si dhe nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë për monopolin në homologimin e veturave nga Blerim Devolli, qeveria e Kosovës nuk ndërmori asnjë hap lidhur me kërkesat e ndërkombëtarëve për ndaljen sa më parë të këtij monopoli.

Image

E të njëjtën gjë po e vazhdon edhe tani , kur tashmë Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit të Kosovës dhe tashmë qeveria konsiderohet si qeveri në dorëheqje.

Sipas analistëve politikë, kjo qeveri në mënyrë të heshtur po ua vazhdon Devollëve monopolin në homologimin e veturave, duke heshtur përballë kërkesave dhe reagimeve të ashpra të ndërkombëtarëve. Madje ata thonë se në këtë mënyrë, pushtetarët kosovarë po e ndajnë fitimin me Devollët.

Analisti politik, Florim Zeqa hedhë akuza të rënda ndaj krerëve të shtetit, për të cilët thotë se qëndrojnë prapa Devollëve.

“Arsyeja përse po vazhdon në heshtje monopoli në homologim i Devollëve, është se prapa tyre qëndrojnë krerët më të mëdhenj të shtetit, bashkë me mafio-oligarkët e nëntokës kriminale.

Heshtja e institucioneve kosovare përballë kërkesave dhe reagimeve të ashpra të ndërkombëtareve për ndërprerjen e kontratës antikushtetuese dhe kriminale, e cila garanton monopolin e Devollëve në homologim të veturave e dëshmon situatën paradoksale të mos respektimit të miqve ndërkombëtar në njërën anë, si dhe në anën tjetër edhe mospërfilljen e kërkesave të qytetarëve nga ana e pushtetarëve tonë”, thotë Zeqa për “Kosova Sot Onlinë”.

Sipas tij, edhe prokuroria e shtetit nuk po ka guxim që të ngrish aktakuzë ndaj Devollëve.

“Mbetët shqetësues fakti, se si prokuroria e shtetit akoma nuk po ka guximin që të ngrisë akuzë ndaj Devollëve që për 10 vite rresht vodhën dhe zhvaten në mënyrë skandaloze qindra miliona euro të qytetarëve të këtij vendi”, shton Zeqa.

Sipas tij, edhe qeveria Haradinaj po i ndihmon Devollët në vjedhjen kriminale të kosovarëve.

“Situata paradoksale po e dëshmon dhe vërteton faktin se edhe qeveria 'Haradinaj", sikurse qeveritë paraprake po e ndihmon vjedhjen kriminale të qytetarëve nga kompania e Blerim Devollit. Meqë është kështu, atëherë kjo vjedhje kriminale merrë përmasat e skandalit qeveritar, rast ky i paprecendet në vendet e rajonit dhe më gjerë. Për më tepër, kjo është një dëshmi më shumë se, krimi i organizuar dhe korrupsioni duhet të luftohen nga koka e jo nga bishti”, përfundoi për “Kosova Sot Online”, analisti politik, Florim Zeqa.

(Kosova Sot Online)