Sfida e hapur, kjo është kërkesa e prerë për partitë kosovare

  • 19 August 2019 - 17:01
Sfida e hapur, kjo është kërkesa e prerë për partitë kosovare

“Vetëm matja e partive në popull e përcakton fuqinë politike të tyre dhe kredibilitetin e liderëve partiakë tek qytetarët e vendit”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Kur po afrojnë zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, partitë politike po shikojnë alternativat për lidhjen e koalicioneve parazgjedhore.

E analistët politikë, thonë se partitë politike duhet të shkojnë gjithsecila e vetme ne zgjedhje, në mënyrë që ta maten në popull dhe ta shohin se sa e kanë besimin e popullit. Ata konsiderojnë se partitë kosovare janë të frikësuara nga debakli në zgjedhje, dhe në këtë mënyrë si zgjidhje të vetme i shohin koalicionet parazgjedhore.

Madje ata paralajmërojnë se për qytetarët të gjitha partitë janë parti të dështuara, të kriminalizuara dhe në shërbim të mafias dhe me te drejte nuk presin që të ketë ndryshime, pa marr parasysh se cila parti apo koalicion fiton, sepse si gjithmonë krimi do të sundojë.

Image
Florim Zeqa

“Partitë e kriminalizuara politike të frikësuara nga debakli në zgjedhje, koalicionet parazgjedhore i shohin si zgjidhje të vetme për të vazhduar sundimin dhe mbijetesën në skenën politike. Në situatën e tanishme, për qytetarët e vendit të gjitha partitë politike janë përafërsisht të njëjta, janë parti të dështuara në qeverisjen e vendit, të kriminalizuara dhe në shërbim të mafias dhe oligarkisë kriminale. Në mungesë të një alternative të re dhe serioze politike, qytetarët edhe nga këto zgjedhje nuk presin që të ketë ndryshime substanciale, pa marrë parasysh se cila parti apo cili koalicion fiton, do të kemi vazhdim të keq-qeverisjes, përkatësisht sundim të krimit të organizuar në institucionet më të larta të shtetit”, thotë për “Kosova Sot Online”, analisti politik, Florim Zeqa. 

Sipas tij, me shkuarjen e vetme të partive në zgjedhje, do të matej forca reale e tyre.

“Vetëm matja e partive në popull e përcakton fuqinë politike të tyre dhe kredibilitetin e liderëve partiakë tek qytetarët e vendit. Përderisa partitë e mëdha përmes koalicioneve synojnë mbajtjen,gjegjësisht marrjen e pushtetit, partitë e vogla përmes koalicioneve parazgjedhore synojnë kalimin e pragut zgjedhor (prej 5 %). Duke qenë se është kështu, 80 përqind e legjislaturës së re do të mbetët e pandryshuar. Do t'i ndryshojnë vetëm vendet në ulëset e parlamentit dhe konfigurimi i tyre parlamentar. Kësisoj, zgjedhjet e parakohshme, përveçse do të prodhojnë riciklim politik, do të jenë një sprovë e vetëdijes qytetare”, përfundoi analisti Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)