Sa bakshish duhet të lini në vendet evropiane?

  • 19 August 2019 - 17:04
Sa bakshish duhet të lini në vendet evropiane?

Kur udhëton ndonjëherë është e vështirë për të ditur nëse duhet të lësh bakshish apo jo.

Zakonet ndryshojnë nga njëri vend tek tjetri dhe për t’i bërë gjërat pak më të lehta website-i britanik PopSugar ka bërë një përmbledhje të bakshisheve për të gjitha vendet evropiane.

Shqipëri: Bakshishi nuk është i kërkuar, por gjithmonë i vlerësuar. Pjesa më e madhe e njerëzve përpiqen që të rrumbullakosin faturën në restorante.

Bosnje dhe Hercegovina: Çmimet në Bosnje dhe Hercegovinë janë shumë të ulëta, prandaj bakshishet do të vlerësohen. Ato janë të pranuara në restorante dhe bare (5-10 % të totalit të faturës), transmeton gazeta Monitor.

Bullgari: Stafi në Bullgari paguhet me pagë minimale, prandaj pret që t’i shpërblesh me ndonjë bakshish. (mesatarja është 10% e faturës)

Republika Çeke: Të lesh 10% bakshish nga totali, veçanërisht në qendrat turistike, si Praga dhe Cesky Krumlov.

Gjermania: Shërbimi gjithmonë është i përfshirë në faturat e restoranteve, por sikurse shpjegohet edhe në website-in knigge.de, duhet të japësh bakshish edhe kur nuk je i detyruar. Rrumbullakosja e faturës do të jetë e mjaftueshme.

Greqia: Disa restorante e rrumbullakosin faturën paraprakisht, kështu që bëni mirë që të hapni sytë para se të jeni dorëlëshuar. Kur të jepni bakshish, lëreni mbi tavolinë ose në dorë kamerierit. Disa pronarë nuk i lejojnë kamerierët që ta mbajnë bakshishin.

Irlandë dhe Angli: Gjithmonë pritet që të japësh deri në 10% të faturës bakshish në rast se shërbimi ka qenë shumë i mirë. Gjithsesi, ndonjëherë shërbimi është i përfshirë në faturë. Në këto raste mos u ndjeni të detyruar të lini më tepër bakshish.

Itali: Bakshishet nuk priten duke qenë se shërbimi është ngarkuar brenda faturës. Pjesa më e madhe e njerëzve vendosin mbi tavolinë disa euro, por rrallë herë më shumë se 10% e faturës.

(Kosova Sot Online)